Mbledhja e Qeverisë

Mbledhja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjes e sotme ka marrë një sërë vendimesh. Kryeministri, Albin Kurti bashkë me vartësit e tyre shkarkuan bordin e drejtorëve të Telekomit, riemëruan Izedin Bytyqin nga Sekretari i Përgjithshëm në ish Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në pozitën e njëjtë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit.

Ndërsa gjithë sekretarët tjerë të përgjithshëm që janë prekur nga riorganizimi i ministrive, kaluan në listën tepricë sipas Ligjit të Shërbimit Civil. Ekzekutivi me abstenimin e pesë ministrave të LDK-së, ndau mjetet financiare për KQZ-në në lidhje me zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë. Por vetëm për mallra dhe shërbime, e jo mëditje.

Duke folur mbi arsyetimin për shkarkimin e Bordit të drejtorëve në Telekomin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se janë plotësuar të gjitha kushtet për një vendim të tillë.

Kabineti qeveritar kryesuar nga kryeministri Kurti morën vendim që gjithë sekretarët e përgjithshëm nga ministritë e prekura nga riorganzimi, do të kalojnë në listën tepricë, ose të ricaktohen në pozitat ekuivalente.

Për këtë arsye me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, Izedin Bytyqi ish-sekretar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, u ricaktua si Sekretar i Përgjithshëm në ministrinë që ai drejton.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar edhe vendimin e mëhershëm, ku ministrat dhe zëvendësministrat përfitonin mjete financiare pas përfundimit të mandatit.

Koalicioni qeverisës shfaqi dallime në mënyrën e ndarjes së mjeteve financiare për KQZ-në në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarin e Podujevës.

Ministrit të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi adresoi kritika për kërkesën e KQZ-së dhe kërkoi që të ndahen mjetet vetëm për mallra dhe shërbime, e jo për mëditje.

Për këtë reagoi zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kërkoi që të mbështet kërkesa e KQZ-së ashtu si ka ardhur, dhe sugjeroi që si anëtarë të kabinetit qeveritar të mos japin bindjet e tyre personale.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, po ashtu vendosi që të ndryshohet rregullorja për fushat e përgjegjësisë në Zyrën e Kryeministrit dhe ministrive tjerë. Me anë të kësaj do t’i shtohen kompetencat kryeministrit dhe do të ketë kod të ri të mirësjelljes për të emëruarit politik.

Edhe në këtë mbledhje të kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti nuk foli në konferencën për media para gazetarëve.