Nga sot edhe zyrtarisht nis projekti i shndërrimit të ndërtesës së ish-burgut në Prishtinë në muze.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka nënshkruar vendimin për formimin e grupit punues që do të hartojë Konceptin për Projektin e Ndërtesës së ish-Burgut të Prishtinës me destinim muze, të cilin koncept do t’ia paraqesë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Dumoshi tha se ky vendim është marrë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, duke përfshirë edhe aspektin shoqëror dhe historik.

“Shndërrimi i ndërtesës së ish-Burgut të Prishtinës me destinim muze shënon një hap të rëndësishëm për dokumentimin e së kaluarës tonë, krijimin e një hapësire të përshtatshme dhe të nevojshme për të institucionalizuar përjetimet e të burgosurve shqiptarë të Kosovës nën regjimin jugosllav e më pas atë serb. Muzeu, i cili do të jetë si rezultat final nga vendimi i sotëm, do të shërbejë si një kujtesë e sakrificës që kanë bërë shqiptarët e Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë”, u shpreh ajo.

Grupi punues me vendim të ministres do të ketë këtë përbërje: Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në rolin e kryesueses, ndërsa në rolin e anëtarëve: Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë;

Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së; Xhavit Loshaj, këshilltar i ministrit të Drejtësisë; Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politik të Kosovës;

Meriman Braha, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës;

Fikrie Berisha, zyrtare e Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe Haxhi Ademi, Instituti i Historisë dhe Ajshe Kamberi, MPB.

Ndërtesa në të ardhmen do të menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze./21Media