Ndonëse kishte dilema nëse kryeqyteti do të stolisej këtë vit për shkak të pandemisë, tashmë kanë përfunduar përgatitjet për stolisjen e shesheve për festat e fund-vitit dhe komuna e Prishtinës mbrëmë ka ndezur dritat.

Një numër i madh i qytetarëve u panë në orët e mbrëmjes përgjatë sheshit “Nënë Tereza”, para se të fillojë ora policore e vendosur si pjesë e masave kundër përhapjes së koronavirusit.

E kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti në një postim në Facebook ka shkruar se ky vit ishte një sfidë për të gjithë, por që “si i tillë na bashkoi edhe më shumë dhe na bëri më solidarë, duke na mësuar të shikojmë nga njëri tjetri me zemër”.

Ndryshe, më herët Ahmeti ka postuar në rrjetet e tij sociale një poll, përmes të cilit kërkonte nga qytetarët të votojnë për apo kundër dekorimit të qytetit për festat e fundvitit. Në sondazh kanë marrë pjesë 3 mijë e 484 persona dhe 53.8% kanë qenë që sheshet të dekorohen, kurse 40.6% kanë votuar kundër kësaj.

Shumë komuna në Kosovë janë shprehur kundër zbukurimit të qyteteve për shkak të gjendjes me koronavirus.