Gjatë kësaj jave numri i qytetarëve që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, kanë rënë krahasuar me javët e kaluara, por në Klinikën e Pomologjisë, aktualisht janë duke marrë trajtim 88 pacientë. Kështu ka bërë të ditur pulmologu nga Klinika e Pulmologjisë, Besim Morina, i cili tha se tashmë janë duke pritur që këta pacientë të transferohen në klinikat tjera COVID për trajtim të mëtojmë.

Ai tha se krahas qytetarëve që janë të shtrirë e që janë pozitivë me koronavirus, në këtë klinik ka edhe qytetarët të cilët ndonëse e kanë kaluar këtë virus, po vazhdojnë trajtimin në Pulmologji, pasi gjendja e tyre është e rëndë dhe kanë nevojë për oksigjen.

“Sa i përket numri të pacientëve, momentalisht i kemi 88 pacientë të shtruar në Klinikën e Pulmologjisë, disa prej tyre janë pozitivë por kanë qenë negative kur janë pranuar, të dyshimtë të themi më mirë janë testuar pozitiv dhe pritet të kalojnë në klinikat tjera COVID. Kurse, pjesa tjera e mbetur janë pacientët të tjerë që kanë qenë pozitiv por që kanë rezultuar negative por që gjendja e tyre është shumë e rëndë për të qëndruar në shtëpi pra kanë nevojë të madhe për oksigjen dhe qëndrojnë me klinik edhe më tej”, theksoi Morina.

Morina ka thënë se aktualisht janë mirë të furnizuar me oksigjen dhe medikamente mjekësore që janë të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Ai tha se ka pasur raste kur ka munguar fraksiparina por që aktualisht janë mirë të furnizuar me këtë bari, e cila përdoret për trajtimin e pacientëve me gjendje më të rëndë.

“Tani jemi më mirë domethënë java e fundit veç ka filluar që ne së pari mos të kemi probleme me oksigjen siç kemi pasur javën e kaluar. Po ashtu edhe me medikamente jemi më mirë, domethënë shumë prej medikamenteve që jepen në klinik i kemi përjashto disa prej medikamenteve esenciale që kemi problem edhe në barnatore.. Së fundmi kemi një problem me një ilaç që jepet për si antikoagulantë që jepet për pengimin e trombozës, janë fraksiparina, kleksani apo barna që përdoren shumë në trajtimin e pacientëve të rëndë me COVID dhe të cilat për fat të qenë ka mungesë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon për shkak të kërkesës të madhe…momentalisht kemi rezerva”, tha ai.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratorët private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.442 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 385 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 7 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.