Në mungesë të kuorumit, sot nuk është hedhur në votim raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2019, pasi në sallën kanë qenë vetëm 53 deputetë. Ky raport ka marrë përkrahjen e komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, por jo edhe të Komisionit për Buxhet dhe Transfere.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Hekuran Murati ka treguar arsyet se pse nuk e kanë përkrahur këtë raport, derisa ka thënë se edhe si grup parlamentar i LVV-së nuk e përkrahin.

“Të njëjtin nuk e përkrahi dhe i rekomandon Kuvendit që të mos e miratoj atë. Si çështje kryesore që ishin në lidhje me këtë raport ka të bëjë me vonesës që është identifikuar në raportin e auditimit në shqyrtim të aplikacioneve për licenca e cila derisa zgjat deri në 24 muaj. Kjo praktikë zakonisht e vonesës për kthim të përgjigjes qon edhe në praktika korruptive pastaj, hap mundësinë për korrupsion. Po ashtu, janë vërejtur edhe shpenzime të larta të paarsyetuara për udhëtime zyrtare jashtë vendit, andaj si rrjedhojë komisioni nuk e ka mbështetur këtë raport. Ne si grup nuk e mbështesim këtë raport meqenëse ky institucion përbënë hallkën kryesore në mbrojtje të mjedisit dhe të gjithë e dimë se në çfarë gjendje është mjedisi marrë parasysh gurthyesit ilegal, edhe kemi arritur në një situatë të tillë ku degradimi i ambientit ka arritur në pikë kritike.”, ka thënë ai.

Nga grupi parlamentar i LDK-së, deputeti Fidan Rekaliu është shprehur se e mbështesin dhe do ta votojnë raportin në fjalë.

Përkrahje i ka dhënë edhe grupi parlamentar i PDK-së, ku deputeti Ferat Shala ka deklaruar se raporti është gjithëpërfshirës.

“Implementimin e të gjitha projekteve buxhetore për vitin paraprak, kemi realizim të buxhetit mbi 97 përqind dhe realizim të gjithë parametrave të planifikuar mbi 90 përqind. Konsideroj që ky rregullator është jashtëzakonisht i konsoliduar përkundër sfidave që i ka shoqëria jonë…grupi parlamentar i PDK do ta mbështetë raportin dhe kërkojë nga të gjithë kolegët që ky raport të mbështetet në mënyrë që t’i hapim perspektivë edhe sektorin minerar, përpunues dhe mjedisor”, ka thënë ai.

Edhe grupi parlamentar i AAK-së ka përkrahur raportin e Komisionit të Pavarur për miniera dhe minerale për vitin 2019.

Deputeti i LVV-së, Salih Zyba ka pasur kritika sa i përket raportit të komisionit, i cili ka folur për gurthyesit në vend.

“Po e shkëpus vetëm këtë tabelë dhe tabelë e cila sa i përket licencave aktive të shfrytëzimit të vitit 2019 deri më 31.12.2019 thotë janë në shfrytëzim 244 licenca të operimit. Pyetja ime për këta që bëjnë thirrje me e lënë drejtësinë dhe Policinë larg politikës a është dikush të paktën një prej këtyre shfrytëzuesve që është jashtë politikës. Përshtypja e të gjithë qytetarëve të Kosovës është për të pasur dhe për të shfrytëzuar gurthyesit duhet të kesh lidhje me politikën. Prandaj, nuk po e komentoj raportin tjetër vetëm se kjo është shqetësimi për të cilën qytetarët e kanë adresuar”, ka deklaruar Zyba.