Reshjet e fundit të shiut me erëra dhe breshër në komunën e Shtimes kanë shkaktuar dëme materiale në shtëpi dhe kultura bujqësore.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Hamëz Tërshani së bashku me zyrtarë komunalë dhe Njësitin Profesional për Zjarrfikje dhe Shpëtim, sot kanë vizituar vendet e prekura për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

Tërshani ka thënë se nga reshjet e fundit nuk ka dëme në njerëz, ndërsa janë raportuar dëme materiale në shtëpi, në fshatrat Reçak, Petrovë, Belinc, Carralevë, Godanc etj.

Po ashtu, ai bëri të ditur se dëme të mëdha ka pasur edhe te fermerët në të gjitha fshatrat e kësaj komune.

Zyrtarët në terren sot kanë evidentuar në Petrovë se është dëmtuar shtëpia e veteranit të UÇK-së Lumni Rashiti, i cili përkohësisht është strehuar te miqtë e tij. Në Reçak, përveç dëmeve në kulme të shtëpive, erërat e fuqishme kanë dëmtuar minaren e xhamisë së fshatit.

Te pishat në Shtime, erërat e forta kanë dëmtuar disa pisha, ndërsa tek ish-objekti i Qendrës Rinore po ashtu janë shkulur disa pemë. Ndërkaq, Palestrës Sportive në Shtime, erërat e forta i kanë dëmtuar llamarinën e kulmit.

Drejtori Tërshana për angazhim dhe përgjigje të shpejtë në terren ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe Njësinë Profesionale të Zjarrfikësve në Shtime.