Policia e Kosovës ka arrestuar një person me rreth 30 kg drogë, në pikë kalimin kufitar në Vermicë.

“Me datë 31.05.2021 nga Republika e Shqipërisë ka ardhur automjeti me targa të Kosovës, i tipit Fiat Croma, ngjyrë hiri, për të hyrë në Republikën e Kosovës nëpër pikë kalimin kufitar në Vërmicë dhe i cili drejtohej nga shtetasi mashkull/kosovar me inicialet F.M. (viti i lindjes 1981). Bazuar në bashkëpunimin e Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotik dhe Policisë Kufitare të Kosovës automjeti i potencuar është selektuar për kontroll të vijës së dytë nën dyshimin e posedimit të substancave narkotike. Asistencë relevante për identifikimin e substancës narkotike ka ofruar edhe Policia Kufitare e Republikës së Shqipërisë me ç’rast, nën rrotën rezervë në bagazh është detektuar një bunker i dyshuar. Autoritete kufitare të PK-së kanë vazhduar me kontroll të mëtutjeshëm ku edhe është hasur në një sasi të substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 30kg (tridhjetë kilogram), thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastin janë informuar njësitet relevante të Policisë, ato të anti-drogës dhe forenzikës për procedura të mëtejme hetimore./21Media