Komisioni hetimor parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovës ka intervistuar sot drejtorin e kompanisë “Eurokos”, Ylber Shamolli, e cila merret me hulumtimin e ndërtimit të kapaciteteve energjetike “Hidros” si dhe drejtorin e kompanisë “Hydroline”, Muhamer Ibrahimi.

Drejtori i “Eurokos”, Ylber Shamolli, i cili ka gjashtë hidrocentrale, ka thënë se kjo kompani ka ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme për pajisje me leje dhe dokumentet përkatëse dhe se në këtë kompani nuk ka pasur korrupsion.

Ai ka thënë se për t’u pajisur me të gjitha këto dokumente, është dashur të plotësohen disa pika të cilat nuk ka mundur të garantojë askush që do të kryhen, dhe se po të kishte korrupsion do të kryenin edhe proceset që kanë filluar që nga viti 2009, e nuk kanë përfunduar ende.

Anëtarja e komisionit Besa Gaxherri e ka pyetur Shamollin se a kishte neglizhencë nga ana institucionale për t’i pajisur me leje këto kompani, ndërsa Shamolli ka thënë se kishte neglizhence e të cilat kanë rezultuar edhe me humbje të mëdha.

“Është shumë e vërtetë që nuk ka pasur korrupsion, por ka pasur vonesa që faktikisht është korrupsion i heshtur. E vërteta është që ka pasur neglizhenca… Unë kam pasur investitorin e parë nga Zvicra ku është tërhequr për shkak të kësaj punë. Është tërhequr, sepse ligji e parasheh që për 45 ditë, dhe ka shkuar me vite, por ne si kompani kemi pritur derisa jemi pajisur me dokumentet e nevojshme. Ka pasur vonesa shumë të mëdha dhe kemi pasur humbje”, ka thënë Shamolli.

Shamolli ka thënë tutje se nëse kjo kompani do të kishte mbrojtje institucionale, shumë punë do të kryheshin me herët, pasi që ka pasur raste kur persona për shpronësim të tokës kanë kërkuar shuma të ndryshme parash, e të cilat kanë shkaktuar vonesa deri në 17 muaj dhe humbje milionëshe.

“Ne e kemi shpronësuar komplet tokën. Kush ka pasur vërejtje në vlerë të çmimit, duhet thënë se atë vlerë e ka caktuar Ministria e Financave, ai që ka pasur ankesa iu ka drejtua gjykatës dhe nëse ka pasur të drejtë i është kompensuar komplet. Sa i përket komunës së Shtërpcës dhe Kaçanikut, nuk e kemi pasur përkrahjen komunale dhe aty kemi pasur probleme dhe është dashur të merremi personalisht me çdo banor të fshatit nga ka kaluar traseja, dhe gjithë ato ku është dashur t’i jepet haku, ne ia kemi dhënë 10 fish hakun sepse ke qenë i detyruar dhe nuk ke pasur mbrojtje institucionale. Sikur të kishte pasur mbrojtje institucionale, shumë më lehtë ishin përfunduar punët… Po e marrë një shembull të thjeshtë. I ka lypë 10 mijë euro për të kaluar përmes tokës së tij, dhe janë mbledhur kushërinjtë e tij: pse 10 mijë? Lypja 50 mijë se s’ka kalon. Pra, është llogaritur për një vit me u shtri hidrocentrali, por 17 muaj kemi pasur vonesa, për 17 muaj vonesa, 1 milion e 800 mijë kam paguar vetëm interes në bankë në formë humbjeje”, ka thënë Shamolli.

Shamolli ka theksuar se përfshirja e politikës, por edhe mos raportimi i drejtë i shoqërisë civile ka shkaktuar probleme të mëdha te hidrocentralet, madje ai akuzon edhe një deputete për inicimin e ligjit për mos dhënien e lejeve për hidrocentralet.

“Sa i për ketë partive politike dhe politikës, në minutën që është përzier politika kanë filluar problemet. Është marrëveshja kur është bërë për qeverisjen, ku pjesë e marrëveshjes njëra nga deputetet që ka qenë e komunitetit boshnjak ka iniciuar që problemi i hidrocentraleve të mos jepet asnjë leje dhe pëlqim për asnjë hidrocentral. Aty ka filluar problemi i procesit të hidrocentraleve, dhe problemi i dytë është shoqëria civile të cilët nuk janë korrekt, pasi problemet kryesore nuk janë ato mjedisore dhe jo hidrocentralet, sepse është mëkat çka hidhet në lumenj dhe shoqëria civile asnjëherë nuk e ka potencuar”, ka theksuar Shamolli.

Anëtari i këtij komisioni, Salih Zyba ka thënë se cili është emrin e personit publik të përfolur, i cili ka iniciuar që të mos jepet leje për hidrocentralet.

“Personi publik është Duda Balje”, ka thënë ai ai.

Edhe drejtori i kompanisë “Hydroline”, Muhamer Ibrahimi është intervistuar nga ky komision, ku edhe ky ka thënë se ka pasur pengesa dhe neglizhenca nga shteti për pajisje me dokumente.

“Në vitin 2017, ministrja Albena Reshitaj e patë marrë një vendim që të pezullohen të gjitha aktivitetet. Në atë kohë na u kanë pezulluar edhe kërkesat tona për leje mjedisore dhe kërkesat tjera. Përmbyllja e proceseve administrative ka mbetur te leja mjedisore. Ne kemi bërë aplikacione për leje mjedisore me kohë, por ende nuk jemi pajisur me lejen e punës. Ky proces është shtyrë. Ka qenë viti 2017 kur është marrë vendimi, i cili nuk ka qenë vendim, por përmes një email, zonja Albena Reshitaj dhe procesi ka mbetur deri para pak muaj kur edhe ka filluar të ri-shqyrtohet dokumentacioni për hidrocentralet”, ka thënë Ibrahimi.

Anëtarja e komisioni Besa Gaxheri, ka pyetur Ibrahimin se a ka Kosova resurse ujore për gjenerim të energjisë elektrike. E ky i fundit ka thënë se resurset ujore janë të kufizuara sa i përket gjenerimit të energjisë elektrike.

“Kosova ka resurse të kufizuara ujore për gjenerim të energjisë elektrike. Kur them të kufizuara bëhet fjalë për projektet që kemi punuar. Në nivel Kosove ka resurse ujore të kufizuara”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi ka thënë se hidrocentralet janë të pajisura me katër leje me afat 20-vjeçar, ndërsa kompanitë tjera që janë pajisur me leje me vonë, janë pajisur me afat të shkurtër./KP