Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë nesër takimin e radhës në të cilin pritet të caktohet data për seancën e re plenare të legjislativit.

Në pikat e rendit të ditës që anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës do të kenë për diskutim janë pika e papërfunduar, nga Seancat plenare, të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25, 28 shtator dhe 8 tetor 2020.

Pjesë e kësaj do të jetë votimi në parim i Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, votimi i propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, votimi i propozim-rezolutës nga Interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, përkatësisht në Karaçevë të Kamenicës dhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë COVID-19.

Po ashtu, Kryesia e Kuvendit do të diskutojë në lidhje me përgatitjet për seancë të re plenare, pjesë e së cilës do të jenë për shqyrtim një sërë projektligjesh, si Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes Kosovë-Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes kornizë për kredi ndërmjet Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe Kosovës – instrumenti për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Po ashtu, pikë e rendit të ditës së seancës së re, për datën e së cilës pritet të caktohet nesër, do të jetë edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Peticione, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, shqyrtimi i parë i Projekt Kodit Civil të Republikës së Kosovës, shqyrtimi i raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2019, emërimi i gjashtë anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas dhe zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.