Ylli i Paris Saint-Germain, Neymar ka konfirmuar se do të vazhdojë të ardhmen e tij në Paris, pasi që i ndihmoi ata të eliminonin Bayern Munich-un nga Liga e Kampionëve mbrëmë.

Pavarësisht fitores së Bayern-it 1:0 në ndeshjen e dytë të çerekfinales, PSG arriti që të sigurojë biletën drejt gjysmëfinales, për shkak të golave si mysafirë, ku në ndeshjen e parë parisienët mposhtën “Bavarezët” me rezultat 3:2.

Mbrëmë pas ndeshjes, Neymar, kontrata aktuale e të cilit skadon në vitin 2022, tha që vazhdimi i saj nuk është më problem, dhe se ndjehet shumë mirë tek PSG.

“Vazhdimi i kontratës me PSG nuk është më problem. Natyrisht që ndihem shumë mirë, si në shtëpi tek PSG. Ndjehem shumë i lumtur, si kurrë më parë”, tha Neymar për “ESPN Brazil”.

Po ashtu, pas ndeshjes foli edhe presidenti i PSG, Nasser Al-Khelaifi, i cili tha që, as Neymar, as Mbappe nuk kanë asnjë arsye për t’u larguar nga klubi.

“Kemi investuar shumë në klub për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe të gjithë trofetë e mundshëm”, tha Al-Khelaifi për “RMC Sport”.

“Neymar dhe Kylian nuk kanë asnjë arsye për t’u larguar. E kemi çdo gjë që na duhet që të fitojmë çdo titull të çdo gare. Ne e kemi një skuadër tejet të mirë, kemi respekt për të tjerët, por ne jemi me ta. Jemi duke punuar”, shtoi presidenti i klubit parisien.

Neymar së bashku me Mbappe ishin më meritorët në dy ndeshjet e Paris-it kundër Bayern-it, ku e ndihmuan skuadrën e tyre që të prek përsëri gjysmëfinalen.

Për brazilianin në vazhdimësi është spekuluar se një rikthim te Barcelona ishte i mundshëm, kurse për Mbappe-n nuk ka ende zhvillime rreth vazhdimit të kontratës, dhe për këtë të fundit raportohet se Real Madrid-i dhe Liverpool-i janë dy skuadrat që kanë treguar interesim serioz për shërbimet e yllit francez.