Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare në Bankën Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli, ka deklaruar se nga viti i ardhshëm çmimi i polisave të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve (TPL) do të jetë i bazuar në rriskun individual dhe se do të bëhet liberalizimi i kësaj industrie.

Havolli përmes një konference për media, tha se BQK për një kohë të gjatë është duke ndërmarrë një varg reformash në industrinë e sigurimeve, e që sipas tij këto reforma kanë qenë të nevojshme.

Ai tha se rezultatet e reformave të ndërmarra në BQK kanë sjell një reagim mjaftë pozitiv dhe intensiv nga industria e sigurimeve, ku tha se gjatë kësaj periudhe mbi 11 milionë euro kapital janë shtuar nga aksionarët në industrinë e sigurimeve, derisa theksoi se presim që edhe në javën e fundit të këtij muaji të ketë injektim të kapitalit të aksionarëve edhe prej të paktën 3 milionë euro në këtë industri.

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës Valon Prestreshi, tha se këtë çështje e kanë trajtuar që nga viti i kaluar dhe se kanë ofruar edhe rekomandim profesional për BQK-në.

Në atë rekomandim, ai tha se kanë theksuar nevojën për liberalizim të këtij tregu dhe që të mos ketë çmime të unifikuara të TPL-ve.

Sa i përket çmimeve, zëvendësguvernatori Sokol Havolli, tha se do të jetë i bazuar në karakteristikat individuale të rriskut të secilit automjet i cili është në qarkullim, derisa theksoi se nuk do të ketë një çmim të vetëm.

Havolli u shpreh se liberalizimi i tregut nënkupton se BQK nuk do t’i caktojë në një periudhë afatmesme tarifat, mirëpo do të përdor modelet e rrezikut nga vet kompanitë.

Në anën tjetër, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, tha se në momentin kur futet konkurrenca mes kompanive atëherë çmimet do të ulen. /kp