Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti bëjnë nderime te memoriali për të Pagjeturit. (Para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës (Hyrja e parë, Sheshi “Ibrahim Rugova”, ora 10:00).

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit të performancës dhe zbatimin e rekomandimeve të raportit “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve”. I ftuar është ministri i Shëndetësisë Arben Vitia. (Kuvendi i Kosovës, salla N-506, ora 10:00).

Instituti GAP mban tryezën e diskutimit lidhur me studimin e ri “Ikja e fuqisë punëtore nga Kosova: Sa do të ndikojë pandemia dhe rregullat e reja të migrimit të Gjermanisë në këtë fenomen?” (Hotel “Swiss Diamond”, Prishtinë, ora 10:00).

Mbahet takimi i 198-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Online, ora 10:00).

Me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur bëhet zbulimi i lapidarit të dëshmorëve në Skivjan të Gjakovës (Ora 09:30) dhe mbahen homazhe në përvjetorin e Masakrës në Meje. (Ora 11:00).

Zyra e Bankës Botërore për Kosovë prezanton raportin ekonomik për Ballkanin Perëndimor. (Platforma Zoom, ora 11:30).

Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR KS zhvillon aksionin rrugor për të shënuar Ditën Kombëtare për Personat e Pagjetur përmes një instalacioni që do të shfaqë të gjithë emrat e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. (Sheshi “Skënderbeu” Prishtinë, ora 12:00).

Komisioni për Arsim diskuton lidhur me shpalljen e konkursit për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. (Kuvendi i Kosovës, salla N-303, ora 12:00).

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, do të bëjnë homazhe në kompleksin memorial në Meje të Gjakovës. (Ora 13:00).

Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli raporton në Komisionin për Ekonomi. (Kuvendi i Kosovës, salla N-10, ora 13:00).

Komisioni për Bujqësi diskuton lidhur me detyrat, prioritetet dhe organizimin e punës së Komisionit. (Kuvendi i Kosovës, salla N-302, ora 13:00).

Komisioni për të Drejtat e Njeriut shqyrton propozim-vendimin e Avokatit të Popullit lidhur me zgjedhjen e pesë zëvendësuesve të Avokatit të Popullit. (Kuvendi i Kosovës, salla C-203, ora 13:00).

Në Ditën e të Pagjeturve, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka bën inaugurimin e fillimit të punimeve për Kompleksin e Varrezave të Martirëve në Krushë të Vogël. (Ora 13:30).

Mbahet vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00).