Sot ka filluar rehabilitimi i sheshit “Adem Jashari” në Skenderaj dhe ndërtimi i trotuarit e ndriçimit publik në qendrat e bashkësisë lokale të Prekazit dhe Qirezit. Këto projekte bashkëfinancohen nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Demos nga njëra anë dhe komuna e Skenderajt nga anë tjetër, në kuadër të grantit të performancës, grant ky të cilin komuna e Skenderajt e ka fituar si rezultat i qeverisjes së mirë.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, u shpreh i lumtur që si rezultat i qeverisjes së mirë të komunës që ai udhëheq këtë vit do të realizohen 3 projekte, të cilat kapin vlerën totale prej 265 mijë euro, prej të cilave 207 mijë janë shpërblim nga granti i performancës ndërsa 58 mijë janë bashkëfinancim nga Komuna e Skenderajt.

Duke folur rreth rehabilitimit të sheshit “Adem Jashari”, i cili kap vlerën totale prej 75 mijë euro, kryetari Jashari theksoi se ky projekt është i mirëseardhur pasi që me të do të rehabilitohen disa nga pjesët ë dëmtuara të sheshit si dhe instalimi i sistemit të ujitjes dhe ndriçimit, duke u pasuruar edhe me pjesë të gjelbërimit dhe rekreacionit.

Sa i përket projektit të ndërtimit të trotuarit e ndriçimit publik në qendrat e bashkësisë lokale të Prekazit dhe Qirezit, kryetari Jashari deklaroi se ky projekt i cili kap vlerën totale prej 115 mijë euro do të mundësojë kushte më të mira të lëvizjes së qytetarëve dhe me theks të veçantë të nxënësve të këtyre dy bashkësie lokale.

Jashari ka bërë të ditur se ditët në vijim do të fillojë dhe projekti tjetër i ndërtimit të poligonit sportiv në Skenderaj, i cili do të krijojë kushte më të mira sportive e rekreacioni për fëmijë dhe të rinjtë të lagjes 2.

Nga ana tjetër, zëvendësministret e MAPL-së, Fatbardha Emini dhe Magbule Shkodra, pasi përgëzuan kryetarin Jashari për angazhimin e tij në zhvillimin e komunës së Skenderajt, premtuan përkrahje edhe në realizimin e projekteve tjera.

Në kuadër të kësaj vizite në Skenderaj, zëvendësministret Emini dhe Shkodra, bashkë me kryetarin Jashari bënë homazhe nderimi te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.