Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, bashkë me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Arban Abrashi, kanë marrë pjesë në nisjen e punimeve për zgjerimin e rrugës “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”. Ky projekt ka vlerë mbi 13 milionë euro.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe ofron qasje të mirë për qytetarët me komunat përreth.

“Më vjen mirë që është kompletuar ky projekt dhe janë akomoduar edhe nevojat dhe bizneset që të mos mbesin të izoluara. Besoj që do të përfundojë në afat rekord. Ky projekt është një nga disa që financohet nga BERZH”, ka thënë ai.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi tha se projekti në fjalë do të ndryshojë edhe pamjen e qytetit të Ferizajt. Ndërkohë, ai u zotua se kanë filluar hartimin edhe të disa projekteve të tjera.

E kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu theksoi se pas një odiseade po fillojnë punimet e një projekti, që sipas tij është më moderne dhe ka të bëjë me komunitetet e bizneseve. “Tashmë Ferizaj që është shndërruar një model transformimi po i afrohet edhe ky projekt i një rëndësie të veçantë. Paraqet edhe kryeqendrën e zhvillimit ekonomik, me gjatësi 5, 6 kilometra”.

Me përfundimin e këtij projekti, ai tha se nuk do të ketë vështirësi të qarkullimit dhe bizneseve, meqë sipas tij, ky aks rrugor po bashkon Prishtinën dhe Shkupin.

Shefi i BERZh-it për Kosovë, Neil Taylor shtoi projekte të tilla kanë filluar në vitin 2020 dhe do të vazhdojnë edhe më tutje.