Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurve N. H., B. H., dhe Sh. H. për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar.

Sipas gjykatës, dje në Gjakovë, të pandehurit në bashkëveprim me njëri-tjetrin kanë sulmuar personat zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, të dëmtuarit D. Sh. dhe A. T., që të dy zyrtar policor në Gjakovë.

“Sulmi kishte ndodhur derisa të dëmtuarit ishin duke e kryer detyrën e tyre zyrtare, përkatësisht duke u marrë me lirimin e trotuarit nga automjetet e parkuara në mënyrë të pa rregullt”. Me këto veprime të pandehurit N. H., B. H. dhe Sh. H. dyshohen të kenë kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, vepër kjo e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, Diana Sina pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.