​Nuk kalon Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore

(Lajm i përditësuar)

Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore, i propozuar nga Qeveria e Kosovës që u diskutua sot për më shumë se tri orë, nuk kaloi në Kuvend.
Në votim morën pjesë vetëm 58 deputetë, për çka nuk pati kuorum për votim. Deputetët shkuan në pauzë deri në orën 15:00.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se duhet parë pas pauzës nëse mund të rigrupohet mazhoranca në Kuvend.
“Vetëm 58 deputetë po marrin pjesë në votim, nuk ka kuorum për këtë pikë, kështu që kthehemi në orën 15:00 dhe shohim apo mund të rigrupohet mazhoranca”, tha ai.
Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji kundër janë shprehur opozita.

​Hajdari thotë se do të marrë përgjegjësinë e vonesës në deklarim të pasurisë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari foli në Kuvend për aktakuzën për mos deklarim të pasurisë.
Hajdari tha se i vjen mirë që ekziston një ligj i tillë dhe se merr përgjegjësinë e vonesës në deklarim të pasurisë. Po ashtu ajo ftoi deputetët që për çdo gjetje karshi saj t’i drejtojnë me shkrim në Prokurorinë e Shtetit.
“Sa i përket deklarimit tim të pasurisë më vjen mirë që ekziston një ligj, unë e marr përgjegjësinë e vonesës në deklarim dhe më vjen mirë që nuk ngritet një akuzë për mua për vjedhje për shpifje, për shfrytëzim të parasë publike, për votat parlamentare tuaja, për zgjedhje e për të gjitha tjerat. Besoj për këtë dhe gjetjet tjera që i keni për mua iu lutem i drejtoni me shkrim edhe në prokurori, më auditoni ju mirëpres”, tha ajo.
Këto komente ministrja i bëri pas akuzave që ia bëri deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili u shpreh se nuk mund t’i besojnë një ministreje e cila edhe vetë e mashtron shtetin duke mos deklaruar pasurinë e saj.
“Që nga dita e parë e kësaj qeverisje në atë ministri kemi pas dhjetra skandale nga këto komisione, ju lutemi kthejuni pak kredisë së Bankës Botërore dhe shihni çka ka ndodhur nga komisionet e hartuara nga kjo qeveri dhe ministri. Ju lutemi kthejuni skandaleve në Dubai dhe pagesave dhe shpenzimeve që keni bërë atje me tupana…Nuk mund t’u besojmë komisioneve nga kjo ministri e cila shkon dhe rezervat shtetërore i kontraktor me kompanitë turke pa asnjë një lloj transparence sot e asaj dite….Nuk mund t’i besojmë kësaj ministrie dhe kësaj ministreje e cila parimisht edhe vetë e mashtron shtetin dhe nuk deklaron pasurinë e saj dhe praktikisht sot është ministre me aktakuzë”, u shpreh Shala.
Më 13 tetor 2022, Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë kundër ministres Rozeta Hajdari për mos deklarim të pasurisë.

​Rizvanolli: Qytetarët po paguajnë deri 740 euro për 1 ton pelet

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kërkoi nga deputetët që sa më parë ta votojnë Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Sipas saj, heqja e TVSH-së, nuk mund të ketë efekt tani kur kemi të bëjmë me spekulime dhe keqpërdorim të krizës për të rritur çmimet e energjisë.
Sipas saj, qytetarët po paguajnë deri në 740 euro për 1 ton pelet, derisa çmimi i prodhimit është nën 200 euro.
“Qytetarët sot paguajnë deri në 740 euro për 1 ton pelet, ndërsa vitin e kaluar ky çmim ka qenë 180 euro. Do të thotë kemi më se katërfishim të çmimit të peletit. Ndërkohë çmimi i prodhimit është nën 200 euro, është 150 deri në 180 euro që do të thotë se po flasim për një fitim prej 560 euro për çdo ton peleti që shitet. Heqja e TVSH-së që po e propozoni nuk ka të bëjë me këtë aspak. Heqja e TVSH-së nuk mund të ketë efekt në një kohë kur kemi të bëjmë me spekulime në një kohë kur kemi të bëjë me keqpërdorim të krizës për të rritur çmimet e energjisë. Ju lutemi ta votoni këtë ligj sa më herët që është e mundur është dashur të trajtohej javën e kaluar, por mbi baza procedurale partitë opozitare e keni kundërshtuar, ju lutem të mos e vononi më tepër këtë ligj dhe votoni sot menjëherë”, tha Rizvanolli.

Edhe AAK-ja kundër Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore

Grupi Paralamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kundërshtoi Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore i propozuar nga Qeveria
Deputeti i këtij subjekti politik tha se ky projektligj dëmton interesat dhe funksionimin e rregullt të firmave dhe kompanive prodhuese në Kosovë.
“Ne si AAK kemi kërkuar dhe jemi më shumë për largimin e TVSH-së për produktet bazë sesa për këtë projektligj. Këtë projektligj nuk do ta përkrahim në parim. Ne do ta përkrahim vetëm atëherë kur bëhen ndryshime rrënjësore. Ne do të votojmë kundër sepse ministrja nuk na ka bindur se shkon në favor të qytetarëve por e dëmton rëndë tregun e lirë”, ka thënë ajo

Bajrami: Për çmime të orizit e sheqerit u konsultuan me agjensione turistike

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të përkrah projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Deputetja Hykmete Bajrami tha se ky ligj nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
“Ne si vend që nga paslufta dhe me Kushtetutë e kemi përqafuar ekonominë e tregut të lirë. Dhe ligjet duhet të jenë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, por ky nuk është sepse neni 10 i Kushtetutës thotë kështu: Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
“Komponentat kryesore të ekonomisë së tregut janë prona private, zgjedhja e lirë e aktivitetit, konkurrenca dhe fitimi si forcë lëvizëse. Me këtë ligj ju keni cenuar dhe prekë secilin prej këtyre komponentëve. Me nivelizim të çmimeve ju vrani konkurrencën mes atyre që ofrojnë produkte të njëjta.
Sipas deputetes, me caktimin e çmimeve të njëjta do të shtyhen drejt falimentimit mijëra dyqane të vogla në fshatra dhe qytetet periferike.
“A dini çfarë shkruan në memorandumin shpjegues në faqen shtatë, shkrua: se gjatë konsultimit publik pos të tjerëve jemi konsultuar me Altavia Travel, Kosova Holiday, Air turk”. Imagjinoni për me vendosur çmimin e sheqerit, orizit, vajit, të peletit e drurit, këta i konsultojnë agjensionet turistike. Nëse dikush prej kabinetit qeveritar dinë me tregua se çfarë komente kanë marrë dhe cila është lidhshmëria e një agjensioni që shet bileta aeroplani me caktimin e çmimit tavan për produktet elementare, unë do t’ju them bravo”, theksoi deputetja.

PDK-ja kundër Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore

Grupi Parlamentar i PDK-së nuk po e përkrah Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore, në formën siç është paraqitur.
Kështu bëri të ditur në foltoren e Kuvendit, deputeti i  PDK-së, Ferhat Shala
“Projektligji nuk parasheh asnjë mundësi të ndonjë akti tjetër nënligjor. Ideja është dhe duhet të zhvillohet në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve, por kjo që është e shkruar nuk pasqyron atë që u tha. Me këtë situatë dhe me këtë draft ligj, PDK-ja nuk mund ta mbështesë kështu. Ne nuk mund ta mbështesim një Projektligj që është edhe keq i shkruar dhe i dëmshëm për ekonominë konsumatorët e operatorët”, deklaroi Shala.

Kusari-Lila: Masat që janë marrë nuk kanë ulur abuzimin me çmime


Shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari tha se  masa që ka marrë Qeveria nuk kanë ndikuar në uljen e abuzimit me çmimet.
Ajo shtoi se në gjendjen aktuale ku shkalla e inflacionit po shënon rritje e bën të domosdoshme marrjen e këtyre masave.
“Jemi në situatë të pazakontë por mund ta ndryshojmë sesi reagojmë ndaj saj. BE-ja ka të rregulluar ndërhyrjet në treg përmes rregullativës së tregut të përbashkët. Masa të tilla përdoren kur ka lindur një krizë. Projektligji i sponsorizuar nga Qeveria parasheh veprime konkrete që ndihmojnë qytetarët në përballim të inflacionit. Ky projektligj do të ndihmojë në situatat kur do të kemi mungesë të produkteve, ngritje të papritur të çmimeve, dallim të pajustifikueshëm të çmimeve. Të vetëdijshëm se këto masa funksionojnë në periudha të përkohshme kohore në emër të LVV-së ju ftoj ta përkrahni këtë projektligj në lexim të parë”, deklaroi Kusari Lila

Hajdari kërkon votën e deputetëve për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, kërkoi votën e deputetëve për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore.
Sipas saj projektligji në fjalë ka paraparë masa që do të ndërmerren në raste të veçanta.
“Ky ligj zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte themelore. Ky projektligj ka paraparë masa që do të ndërmerren në raste të veçanta. Duke marrë parasysh rëndësinë e miratimit të këtij projektligji, ju ftoj ta aprovoni sepse një ligj i tillë është aprovuar edhe në shtete të rajonit”, tha Hajdari.

Konjufca paralajmëron deputetët të mos pinë më cigare: Ua thërras inspektoratin


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka paralajmëruar deputetët që të mos pinë më duhan në bufenë e Kuvendit, ose në të kundërtën ka thënë se do ta thërras inspektoratin.
“Kjo është një sjellje e papranueshme dhe nëse veç edhe një herë e kam një informatë që po pihet duhani në bufe, më detyroni ta thërras Inspektoratin e Shtetit”, ka thënë Konjufca para se të nisë seanca e sotme e Kuvendit.
Ai ua ka kujtuar deputetëve që në çdo hapësirë të kuvendit dhe të institucioneve publike ndalohet pirja e duhanit./21Media

Back to top button