​Nushi: Nga falja e gjobave janë përjashtuar bizneset e mëdha dhe partitë politike

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, po shqyrton në parim projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë.
Qëllimi i këtij projekligji është falja e masave ndëshkimore të shqiptuara nga insititucionet e Kosovës, si dhe përcaktimi i procedurave në lidhje me formën e këtyre masave.
Propozuesi i këtij projektligji, Nol Nushi adresoi kritika për trajtimin e këtij projektligji në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se për 15 muaj është dashur që të vijë ky projektligj në diskutim në Komisionin për Shëndetësi. Nushi tha nga falja e gjobave janë përjashtuar bizneset e mëdha dhe partitë politike .
Ndërsa shtoi se në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës, 329 qytetarë të Kosovës janë ndëshkuar në bazë të këtij ligji.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se ky projektligj e ka humbur kuptimin tani. Ajo konsideroi se me faljen e gjobave po bëhet një precedant në rrezik të shëndetit publik.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu derisa ofroi mbështetjen për projektligjin në fjalë, tha se ardhja e këtij projektligji tash me kaq vonesë në komisionin parlamentar përbën shkelje ligjore. Sipas tij, askush nuk ka pas të drejtë që në procedurat parlamentare një incitivë ligjore e iniciuar nga qytetarët të prolongohet aq gjatë.
“Kushdo që e ka mbajt në sirtarët e tyre është shkelje ligjore. Ka nevojë që ky ligj të trajtohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit dhe të analizohen efektet e këtij ligji në këtë kohë krize. Ky ligj ka nevojë të miratohet në Kuvend të Kosovës dhe të mbështeten qytetarët”, tha Haxhiu.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, tha se ligji për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 është zbatuar në mënyrë selektive prandaj ai kërkoi që projektkigji për faljen e gjobave të vendosura gjatë periudhës së pandemisë të merret në konsideratë dhe të mbështetet nga pozita e opozita, dhe të gjenden modalitet./KP

Back to top button