Pas takimit që Oda e Afarizmit të Kosovës realizoi me bizneset anëtare sot gjatë ditës, si rezultat i gjendjes së vështirë të të bërit biznes u kërkua nga ana e bizneseve që Oda të ftojë në takim shefat e grupeve parlamentare.

Temë kryesore përgjatë këtij takimi ishte mos kalimi i Pakos së Rimëkëmbjes dhe mosshqyrtimi i kërkesave të bizneseve drejtuar Qeverisë dhe deputetëve, si dhe vështirësitë të cilat janë krijuar për sektorin privat si pasojë e pandemisë.

Qëllimi i takimit me shefat e grupeve parlamentare është diskutimi lidhur me kërkesat e bizneseve rreth pakos së rimëkëmbjes ekonomike dhe votimit të saj në Kuvend.

Ftesa në mënyrë zyrtare i është dërguar shefave të grupeve parlamentare të: LVV, LDK, PDK, AAK dhe kryetarit të Nisma, dhe takimi është planifikuar që të mbahet në zyret e OAK-së nesër (08.10.2020) nga ora 09:00 para fillimit të seancës plenare ku për herë të 6-të pritet që të jetë si pikë e rendit të ditës Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Mosmarrja parasysh e kërkesave të bizneseve dhe punëtoreve, duke i mbylluar ato dhe mospërkrahur, injorimi i vazhdueshëm i kërkesave nga ana e deputetëve të Parlamentit që nga fillimi i pandemisë, ndërkohë që vendet e rajonit kanë ndryshuar me dhjetra ligje dhe kanë kaluar disa pako, i ka indinjuar në masë të madhe bizneset të cilat kërkojnë që në mënyrë urgjente, deputetet t’i shqyrtojnë kërkesat e tyre.

OAK pret që shefat e grupeve parlamentare të përgjigjen pozitivisht ndaj kësaj ftese dhe të jenë prezent në takim.