Problemet e sektorit të organizimit të eventeve gjatë situatës së pandemisë ishte tema kryesore e diskutimit në takimin e realizuar nga përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës me disa nga bizneset e këtij sektori.

Kryetari i Bordit të OAK-ut Skënder Krasniqi, informoi për çështjet të cilat oda ka zgjidhur për bizneset në tërësi, e sidomos avokimin e bërë gjatë kohës së pandemisë. Gjithashtu u shpalosën edhe rekomandimet që OAK ka përcjellë tek institucionet me qëllim të përkrahjes së bizneseve.

Edhe pse sektorit të organizimit të eventeve nuk iu është ndaluar direkt ushtrimi i veprimtarisë, me vendim të Qeverisë për parandalim të përhapjes së pandemisë është ndaluar organizimi i eventeve, dhe si rezultat i së cilës janë anuluar 60 festivale. Kjo ka bërë që këto biznese të mos kenë për kë të shërbejnë, andaj janë dëmtuar në masë të madhe pasi që plotësisht janë bllokuar.

Sektori i organizuesve të eventeve konsiderohen si një nga zinxhirët më të mëdhenj sezonal, pas gastronomisë, e ndër problemet kryesore me të cilat po përballen si pasojë e mos gjenerimit të të hyrave janë pamundësia e mbulimit të pagave të stafit, pagesa e qirasë e shpenzimet fikse.

Në këtë, sipas tyre, po ndikon edhe pamundësia e inkasimit të borxheve të vitit të kaluar, e sidomos mos ekzekutimi i pagesave nga ana e institucioneve për bizneset.

Gjatë këtij takimi u dakordua që për tejkalimin e gjendjes së rënduar të këtij sektori dhe që t’iu mundësohet mbijetesa në treg është e domosdoshme që të përkrahen nga ana e institucioneve përmes subvencionimit të pagave të punonjësve, subvencionimit të qirasë, ulja e TVSH-së për operim, shtyrja e kredit line që këto biznese kanë dhe shtyrja e tatimeve dhe obligimeve ndaj ATK-së.

Këto masa duhet të jenë së paku njëvjeçare, në mënyrë që ky sektor të ketë mundësi të rifillimit të operimit dhe të tejkalohet situata e rënduar në të cilën gjenden, pasi që për dallim nga sektorët e tjerë që kanë pasur shtyrje për disa muaj, këtij sektori i janë anuluar dhe shtyrë për një vit eventet dhe aktivitetet e parapara, thonë nga OAK-u.

Lidhur me këto OAK ka përcjellë një shkresë për Ministrinë e Financave dhe Transfereve, në mënyrë që të përfshihen në draftin final të Pakos e Rimëkëmbjes, në mënyrë që të sigurohet përkrahja adekuate dhe t’i jepet mundësia që ky sektor të mbijetojë.