​OAK kërkon që të procedohet sa më parë projektligji për pyjet

 

Diskutimi për plotësim ndryshimin e udhëzimeve administrative të cilat tash e disa vite janë duke dëmtuar në shkallë shumë të lartë zhvillimin e sektorëve të bujqësisë, blegtorisë, turizmit dhe minierave ishte qëllimi i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me ministrin e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa.

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) e përshëndet iniciativën e ndërmarrë nga ana e ministrit Mustafa për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr.10/2010 me të cilin është rregulluar kufizimi i hapësirës prej 5 ha duke u rritur në deri 20 ha si dhe kufizimi i kohëzgjatjes së licencave nga 5 vite rritet në përputhje me licencat e lëshuara nga KPMM.

Njëkohësisht OAK kërkoi që të iniciohet edhe ndryshim plotësimi i udhëzimeve të tjera të adresuara tash e një kohë tek MBPZHR, e që kanë të bëjnë me uljen e kostos së qirasë nga 2000 euro për ha në vit dhe të trajtohet çështja e sigurimeve bankare, pasiqë momentalisht bizneset detyrohen të paguajnë dy garancione të ndryshme bankare për të njejtën hapësirë, duke iu krijuar shpenzime të dyfishta për operatorët ekonomik.

Mustafa falënderoi OAK-në për takimin dhe njoftoi që janë duke punuar që të procedojnë Projektligjin për Pyjet i cili do të trajtojë dhe zgjidhë shumë probleme të bizneseve, andaj u shpreh i hapur për të bashkëpunuar edhe më tej për krijimin e lehtësirave të operimit për bizneset.

OAK konsideron që kjo nismë do të lehtësojë rrugëtimin tonë drejtë zhvillimit ekonomik dhe gjithashtu do të krijojë kushte më të favorshme për investitorët e huaj, nisur nga pasurit nëntokësore që shteti ynë ka.

Back to top button