Problemet me lirimin e lëndës së parë në import, lirimi nga akciza doganore e gazit dhe mos pagesa e TVSH-së në Doganë e ambalazhit, paketimit ose gjërave të tilla përcjellëse të produktit final i cili prodhohet, ishin temat kryesore që u diskutuan në takimin e sotëm në mes të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), bizneseve dhe Komisionit për lirim të lëndës së parë nga Administrata Tatimore e Kosovës.

OAK në kuadër të këtij takimi ka potencuar se lirimi i lëndës së parë nga TVSH-ja ka qenë kërkesë e kahmotshme e tyre, e cila është adresuar disa herë tek institucionet përkatëse, me kërkesën që çdo produkt i cili është lëndë e parë për dalje në treg, të trajtohet si e tillë.

Përgjatë këtij takimi të përbashkët në mes të OAK-së dhe Komisionit për lirimin e lëndës së parë, bizneset prodhuese patën mundësinë që të shpalosin problemet e tyre, të cilat i hasin lidhur me importin e lëndës së parë nga jashtë.

Berat Ukaj nga biznesi Egi Group, paraqiti problemin e tij të kahmotshëm me importimin e kikirikut, i cili detyrohet që me rastin e importit të këtij produkti të papërpunuar të paguaj taksën doganore për të si dhe të paguaj edhe akcizën për gazin që përdorë.

Një problem të tillë e kanë edhe bizneset e tjera të cilat kërkesat e tyre i paraqiten edhe sot para Komisionit për lirimin e lëndës së parë. Po ashtu gjatë këtij takimi të përbashkët u parashtruan edhe pyetjet e tjera nga bizneset prodhuese të cilët importojnë lëndë të parë nga jashtë.

Përfaqësuesi nga ATK, Drilon Bajraktari potencoi se gjithmonë përpiqen të ndihmojnë bizneset, ndërsa, Isuf Zeqiraj bëri thirrje te bizneset se në rastet se vërejnë parregullsi t’i drejtohen ATK-së.