OAK kërkon tëfillohet përgatitja e pakos së dytë

OAK kërkon tëfillohet përgatitja e pakos së dytë

Oda e Afarizmit të Kosovës ka ripërsëritur kërkesën dërguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që nga propozimi i Ministrisë së Financave për pakon e parë që të gjithë të punësuarit në Kosovë, të prekur nga gjendja me pandeminë COVID-19, të trajtohen në mënyrë të barabartë pasi shumë biznese nuk mund të ushtrojnë veprimtarinë për shkak të masave të fundit, e të tjerat janë duke operuar me kapacitete të limituara.

Duke e marrë parasysh këtë OAK ka ripërsëritur kërkesën që pagat në institucione publike dhe kompani publike të ekzekutohen në vlerën e 50% të pagës për muajin prill dhe muajt vijues derisa të zgjasë pandemia, për të gjithë apo për punëtorë që nuk janë duke punuar, duke pasur parasysh se shumica e të punësuarve në institucionet publike nuk janë duke punuar.

Kjo bëhet me arsyetimin se në këtë mënyrë qeveria do të ketë mundësinë e rritjes së shumës prej 41 milionë eurove të parapara për afër 300.000 të punësuar në sektorin privat dhe rritjen e shumës nga 170 euro në së paku 220 euro, thuhet në letrën e OAK-së.

Gjithashtu OAK ka kërkuar që shumën e paraparë prej 15 milionë eurove për paga shtesë prej 300 eurove për punëtorët e atakuar nga pandemia, të alokohet për biznese dhe këta sektorë të marrin paga të plota.

OAK konsideron se përkrahja e bizneseve me mbulim të pagave për të mos i larguar nga puna, përkrahje në mbulim të shpenzimeve operative gjatë kësaj kohe dhe përkrahje në dhënie të kredisë pa kamatë dhe mbështetje të tjera, është më se e nevojshme për mbajtjen dhe rritjen e punësimit në Kosovë, ku papunësia në këtë kohë është më e larta në Evropë.

OAK gjithashtu ka kërkuar që grupi koordinues i krijuar në Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik të fillojë punën sa ma shpejt në përgatitjen e pakos së dytë.