Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bëri thirrje anëtarëve të saj në Evropë të “forcojnë kontrollin” për shkak të shfaqjes së një lloji të ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe, njoftoi sonte dega evropiane e kësaj organizate.

Lloji i ri i virusit është regjistruar në Britaninë e Madhe, por edhe në disa vende të tjera – nëntë raste në Danimarkë dhe nga një rast infeksioni në Holandë dhe Australi, deklaroi OBSH.

Disa vende evropiane vendosën sot të ndërpresin lidhjet ajrore me Britaninë e Madhe pas zbulimit të një lloji të ri të virusit korona.

OBSH-ja deklaroi se sipas informacionit të parë, varianti i virusit korona mund të jetë më ngjitës dhe mund të rrezikojë efikasitetin e disa metodave diagnostikuese.

Organizata shtoi se nuk kishte asnjë provë që lloji i ri i koronavirusit ishte një formë më serioze sesa COVID-19. Thuhet se informacioni do të jetë i disponueshëm sa më shpejt që të merret një “pamje më e qartë e karakteristikave” të variantit të ri të virusit korona.

“Në të gjithë Evropën, ku transmetimi i koronavirusit është i përhapur, vendet duhet të rritin procedurat e tyre të kontrollit dhe parandalimit”, bëri të ditur OBSH.