Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për të drejtat e njeriut tha se kjo ka qenë tema e parë që është ngritur në Bruksel dhe se do të insistojnë që në marrëveshjen finale të marrin zotimin e Serbisë për rikthimin e trupave dhe ballafaqimin e saj me të kaluarën.

Ai tha se do të insistojnë që pas marrëveshjes finale në afat prej 18 muajve Serbia të zbatojë marrëveshjen për të pagjeturit.

Ndërsa, kryesuesi i delegacionit të Kosovës në grupin punues për çështjen e zhdukurve, Ibrahim Makolli tha se në Bruksel janë arritur parimet bazë për marrëveshjen për personat e zhdukur. Por sipas tij ajo do të inkorporohet në marrëveshjen finale.

Kritika ndaj qeverisë Hoti për këtë çështje adresoi anëtarja e komisionit nga LVV-ja, Saranda Bogujevci e cila kërkoi sqarime shtesë për marrëveshjen e Uashingtonit.

Sipas saj, atje është bërë barazim i çështjes të pagjeturve dhe të zhvendosurve.

E deputetja e PDK-së, Besa Ismaili akuzoi qeverinë Hoti për mungesë të transparencës për këtë çështje.