Ambasadori i Italisë në Kosovë Nicola Orlando i ka uruar mirëseardhje kolegut të tij gjerman në Kosovë Jorn Rohde, duke thënë se pret me padurim që të punojnë së bashku.

Në një postim në rrjetet sociale diplomati italian i ka përkujtuar homologut gjerman se me nisjen e mandatit në krye të ambasadës gjermane në Kosovës ka shumë punë për të bërë duke nisur nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, si vendi i fundit në rajon që nuk e gëzon këtë të drejtë.

“Mirë se vjen në #Kosovë koleg i nderuar, Jörn Rohde! Pres me padurim të punojmë së bashku dhe të ripërtërijmë marrëdhënien e shkëlqyeshme që kemi ndërtuar me Christianin! Si partneri më i madh i ekonomisë dhe i sigurisë, #BE-ja ka shumë punë për të bërë në mbështetje të rrugës euro-atlantike të Kosovës, duke filluar me liberalizimin e vizave”, ka shkruar Orlando.

Jörn Rohde në postin e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë pason Christian Heldt, pasi këtij të fundit i ka skaduar mandati.