Ambasadori i Italisë në Prishtinë Nicola Orlando, është takuar sot me kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën, të cilin e ka uruar për zgjedhjen në detyrën e tij të re.

Orlando në Twitter ka shkruar se me Konjufcën kanë diskutuar për punën urgjente mbi reformat kyçe në përputhje me agjendën e BE-së.

“Në një takim miqësor, ushtruesi i detyrës së presidentit dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ndau pikëpamjet e tij mbi përparësitë e legjislativit. Ne diskutuam punën urgjente mbi reformat kyçe në përputhje me agjendën e BE-së. Unë i urova sukses në mandatin e tij dhe e sigurova për vendosmërinë e Italisë për të mbështetur rrugën euro-atlantike të Kosovës”, ka shkruar Nicola Orlando në Twitter.

Glauk Konjufca është zgjedhur të hënën kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës. 69 deputetë votuan për, ndërsa 33 deputetë ishin kundër zgjedhjes së tij./21Media