Organizatat e Shoqërisë Civile luajnë rol të rëndësishëm në demokracinë e një vendi. Kështu u tha sot në eventin “Ekspozimi i organizatave të shoqërisë civile, ndarja e përvojave”, organizuar në kuadër të projektit “Ngritja e zhvillimit të qëndrueshëm organizativ të OSHC-ve në Kosovë”. Projekt ky i financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementohet nga FIQ dhe INDEP.

Drejtoresha ekzekutive e “FIQ”, Dajana Berisha foli rreth projektit “Ngritja e zhvillimit të qëndrueshëm organizativ të OSHC-ve në Kosovë”, për çka tha se ka qenë një punë e jashtëzakonshme për të implementuar këtë projekt edhe jashtë Prishtinës.

“Jemi në fazat e përfundimit të këtij projekti, kjo nuk do të thotë që me përfundimin e këtij projekti përfundon edhe puna apo angazhimi i FIQ në nxitjen dhe siç thash në zhvillimin e qëndrueshëm të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë. Ky është një prej eventeve përmbyllëse të projektit ku ne do të paraqesim disa prej sukseseve të këtij projekti. Sfidat kanë qenë sigurisht të shumta, por sot jemi këtu për të festuar suksesin e projektit”, tha ajo.

Berisha tha se projekti në vetvete i ka pasur tri komponentë kryesor, së pari ajo tha se ka qenë krijimi dhe funksionalizimi i Qendrës Burimore të Kosovës.

“Qendra Burimore është një ndër sukseset më të mëdha të projektit, për arsye se po them vetëm në 2019-tën kjo Qendër i ka realizuar rreth 100 evente të gjitha këto krejt falas me angazhimin e stafit të FIQ-it dhe me dëshirën e mirë që kjo Qendër të funksionojë gjatë gjithë ditëve të javës edhe për fundjavë dhe prandaj e konsideroj si një sukses. Na ka dhënë edhe neve mundësinë dhe hapësirën si organizatë liderë në këtë projekt të njohim dhe të ndihmojmë në zhvillimin e kapaciteteve promovimin e ngjarjeve të ndryshme që kanë ndodhur brenda sektorit të shoqërisë civile për vitin 2019”, tha ajo.

Komponenti i dytë, Berisha tha se është dizajnimi, përpilimi i paketave të trajnimit për të gjitha organizatat jo qeveritare. Për këtë ajo tha se 83 organizata kanë qenë pjesë e trajnimeve përgjatë vitit 2019.

Si komponentë e tretë e rëndësishme e projektit ajo tha se është dhënia e granteve, ku tha se kanë dhënë grante individuale.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për qeverisje të mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini tha se kanë zhvilluar një strategji për bashkëpunim Qeveri dhe Shoqëri civile, ku tha se i kanë

“Ne kemi zhvilluar një strategji të përbashkët që ka të bëjë për bashkëpunim Qeveri-shoqëri civile dhe i kemi dhënë prioritet katër fushave të rëndësishme, ajo që ka të bëjë me pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, pastaj për të bërë procesin sa më transparent dhe të hapur për financimin e organizatave jo qeveritare, si dhe për të vendosur rregulla dhe standarde sa i përket shërbimeve që ofrojnë organizatat joqeveritare dhe në të njëjtën kohë për të bërë sa më të qasshëm dhe më efikase aspektin e vullnetarizmit në përgjithësi. Këto janë katër prioritetet që në mënyrë paralele ne kemi punuar me të gjitha instancat e shoqërisë civile dhe mund të them që kemi bërë një progres fillestar të mirë fal bashkëpunimit me organizatat jo qeveritare sidomos tek procesi i konsultimeve publike”, tha ai.

Anëtari i Bordit në European Young Cells Scheme Alumni, Drinas Zeqiraj foli për rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve të shoqërisë civile.

“Synojmë të ngrisim kapacitetet e shoqërisë civile për arsye se roli i organizatave të shoqërisë civile është themelor për demokracinë. Dihet se përmes organizatave të shoqërisë civile grupet e ndryshme të shoqërisë munden t’i shfaqin interesat e tyre, mirëpo edhe mund të kontribuojnë në politik bërje në përgjithësi. Kjo për shkak se procesi i integrimit evropian në veçanti është një proces unik në historinë e njerëzimit, si dhe një prej parimeve themelore të saj është demokracia. Prandaj, e kuptojmë që roli i shoqërisë civile është tepër i madh. Pra, shoqëria civile në kuadër të integrimit evropian i luan dy role, njëra është në kuadër të dimensionit të brendshëm ku ata mund të transmetojnë interesat e tyre, mirëpo edhe vizionin e tyre për çështje të ndryshme ekonomike, politike, si dhe dinamika të tjera sociale të BE-së, si dhe krijojnë një mjedis të përshtatshëm të transformimit të shtetit dhe shoqërisë në përputhje me vlerat evropiane. Dimensioni tjetër është dimensioni ndërkombëtar, ku organizatat e shoqërisë civile kanë mundësi të ndikimit në mekanizmat e vendimmarrjes së BE-së dhe mund të lobojnë në procesin e përshpejtimit të anëtarësimit në BE. Vet procesi i integrimit në BE ofron mekanizma se si shoqëria civile mund të monitorojë dhe mund të jap kontribut në këtë”, tha ai.

Përvojat e tyre i ndanë edhe organizatat KOMS, Me dorë në zemër, GYEK, ETEA, NGO Norma, Virtual Sophists dhe Center for Psycho-Social research.

Projekti “Ngritja e zhvillimit të qëndrueshëm organizativ të OSHC-ve në Kosovë”, është financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementohet nga FIQ dhe INDEP.