Osmani bashkëbisedoi me Zyrën e OBSH-së në Kosovë
6 Korrik 2020
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka mbajtur sot një takim virtual me Sergei Koryak, zyrtar ndërlidhës i OBSH-së në Kosovë, si dhe me zyrtaren profesionale të emergjencave, Isme Humolli, me të cilët ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe OBSH-së për menaxhim e suksesshëm të COVID-19.
Osmani ka njoftuar zyrtarët e OBSH-së në lidhje me iniciativën ligjore të ndërmarrë me qëllim që vendimet për masat antiCovid të kenë bazë ligjore, teksa organet e rendit të kenë mundësinë e veprimit aty ku hasen shkelje.
Gjithashtu, në këtë takim u potencua rritja e fokusit ndaj sektorit të shëndetësisë, ngase pandemia nuk ka përfunduar, ndaj veprimet e vonuara mund të shkaktojnë efekt zinxhiror dhe dëme më të mëdha.
Palët diskutuan edhe për rëndësinë e shembullit që duhet të paraqesin liderët institucionalë, duke respektuar masat mbrojtëse, për të ndërtuar një normë të re të sjelljes në kohë pandemie./21Media