Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, priti sot në takim ekipin e Korporatës së sfidave të mijëvjeçarit – MCC nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Sarah Olmstead, drejtoreshë e Millennium Challenge Corporation (MCC) për Kosovë dhe Shqipe Neziri Vela, specialiste për ndihmë zhvillimore.

Ekipi i MCC-së e njoftoi kryetaren Osmani rreth zhvillimeve të fundit sa i përket aktiviteteve të MCC-së si dhe fushat e veprimit në të cilat janë të fokusuar.

Kryetarja Osmani falënderoi ekipin e MCC-së për faktin që fokus i punës së tyre janë fushat zhvillimore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të vendit.

Ju përgëzoj po ashtu që në të gjitha aktivitetet tuaja, theks të veçantë vendosni në fuqizimin e grave dhe zhvillimin e fuqisë punëtore, të dy komponentë tejet të rëndësishme për një zhvillim të qëndrueshëm në vendin tonë”, ka thënë Osmani.

Palët diskutuan edhe rreth rolit kyç të Kuvendit në fazën e radhës së aktivitetit të MCC-së në vend, me ç’rast kryetarja Osmani konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe angazhim për përkrahje të projekteve të planifikuara në sektorin e energjisë.