Në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për drejtat e personave me aftësi të kufizuara, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se 3 dhjetori është ditë për të kuptuar sa është dëshmuar e gatshme shoqëria kosovare për të përfshirë këtë kategori në të gjitha organizimet në vend. Osmani tha se Kosova ka bërë jashtëzakonisht pak në garantimin e një jete të dinjitetshme për personat me nevoja të veçanta.

Osmani tha se personat me aftësi të kufizuara janë një potencial i jashtëzakonshëm, veçse duhet t’u ofrohen mundësi e të drejta të barabarta.

“Mesazhi i qartë për të gjithë ne këtu është që kemi bërë pak, kemi bërë jashtëzakonisht shumë pak për t’u garantuar një jetë të dinjitetshme këtij komuniteti në vendin tonë, dhe ndryshe nga çdo komunitet tjetër, aftësia e kufizuara tejkalon të gjitha identitetet, gjininë, racën, klasën socio-ekonomike, fenë, kombësinë, çdo çështje, prek jetën e njerëzve me aftësi të kufizuara, shpesh në margjina shumë më të mëdha sesa grupet tjera. E sidomos këtë vit, problemet e lindura gjatë pandemisë po prekin në mënyrë disproporcionale personat me nevoja të veçanta, përfshirë këtu sfidat e qasjes në kujdesin shëndetësor, impakti në shëndet i virusit Covid-19, qasja në arsim dhe papunësia tepër e lartë”, tha ajo.

Ajo shtoi se shteti i Kosovës ende nuk ka të dhëna për numrin e personave me aftësi të kufizuara që jetojnë në Kosovë.

E sipas kryetares së Kuvendit, pa statistika nuk mund të ketë politika të mirëfillta.

“E nëse këta 38 mijë fëmijë nuk janë në shkollë, ne, ne dhe vetëm ne, po ua mohojmë atyre mundësinë për punësim, mundësinë për pavarësim, mundësinë për integrim, jetë të dinjitetshme e shkollim e punësim me dinjitet. Është e pafalshme që edhe kur fëmijët me nevoja të veçanta e kanë fatin të ndjekin mësimin në shkollë, ata vazhdojnë të jenë të kufizuara në hapësirë sepse kush nuk e ka marrë mundin t’u sigurojë këtyre fëmijëve një lift apo pjerrina që ata të kenë qasje në kabinete apo hapësira shkollore në katin e dytë apo të tretë”, tha Osmani.

Në ditën e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Osmani tha se është e pafalshme që vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuar vijojnë mësimin në shkolla publike në Kosovë, ndërkohë që 90% e tyre kanë mbetur jashtë shkollave.

Sipas Osmanit, sfidat me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara janë reflektim i dështimit të shoqërisë kosovare për t’u siguruar atyre mundësi të barabarta.