Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e ka quajtur fatkeqësi që Kosovës nuk i është lejuar anëtarësimi në Këshillin e Evropës, që do të rezultonte me qasje në Gjykatën e Strasburgut për qytetarët e vendit tonë.

Ajo këto komente i ka bërë në konferencën virtuale ndërkombëtare më rastin e 70-vjetorit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe njëherësh fillimit të Kryesisë gjermane të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Osmani ka thënë tha se ndonëse Konventa paraqet dokumentin më të rëndësishëm e më të suksesshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Evropë, është fatkeqësi që Kosovës nuk i është lejuar ende anëtarësimi në Këshillin e Evropës, e që do të rezultonte me qasje në Gjykatën e Strasburgut për qytetarët e saj.

“Një gjë e tillë, përbën në vete shkelje të të drejtave të njeriut përmes mohimit të të drejtës për qasje në drejtësi për qytetarët e Kosovës”, është shprehur Osmani.