Kosova ka shënuar Ditën e Pavarësisë me një manifestim qendror në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë. Aty ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për unifikim në mënyrë që, siç tha ajo, t’i japin kuptim shtetit të Kosovës.

Osmani e cila është komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se Kosova është e pavarur dhe e tillë do të mbetët gjithnjë me kufijtë e saj aktual.

“Para nesh kemi sfida të cilat do të testojnë jo vetëm durimin, përmbajtjen, por edhe gatishmërinë tonë që problemet e hapura t’i mbyllim me maturi dhe gjithnjë në interesat e vendit tonë, të sovranitetit tonë dhe qytetarëve tanë. Sikurse në vitet e 90’ kur solidariteti na bëri bashkë, na unifikojë kundrejt regjimit gjenocidal të Serbisë sot na duhet një solidaritet e unifikim i tillë si një dëshmi se bashkë mund t’i japim kuptim shteti tonë dhe funksionimit të tij. Shtetin tonë e konsiderojmë të shenjtë dhe se do të përpiqemi me devotshmëri përveç t’i shërbejmë, të garantojmë tërësinë territoriale të vendit tonë edhe rendin e saj juridik e kushtetues. Kosova është e pavarur dhe si e tillë do të mbetët në kufijtë e saj aktual. Atdheu ynë është mbi të gjithë”, tha ajo.

Osmani tha se duhet punuar çdo ditë për të mbrojtur Pavarësinë e Kosovës dhe secili hap i bërë duhet të jetë në dobi të atdheut.

“Pavarësia e vendit nuk do të arrihej pa rezistencën e prirë nga president Ibrahim Rugova, pa sakrificën sublime të djemve dhe vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit Adem Jashari me familje, por edhe të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të vendit pa të cilët liria do të mbetej vetëm ëndërr”, tha Osmani.

Osmani shtoi se Kosova i është përjetësisht mirënjohës NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera mike të cilët ndihmuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Para njësiteve të FSK-së, ushtruesja e detyrës së presidentes, tha se shpreson që në një të ardhme të afërt ushtarët e Kosovës të jenë krah atyre të ANTO-së kudo për të mbrojtur paqen globale.

E kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se ende mbetët shumë punë për të realizuar aspiratën euroatlantike të Kosovës.

“Sot në përvjetori ne 13 të Pavarësisë së Kosovës festojmë ëndrrën e realizuar të heronjve që shprehët si gërshetim i vlerave për shërbimin dhe dashurinë për atdheun, për t’i dhënë mundësinë këtyre djemve dhe vajzave për t’u rreshtuar me krenari në radhët e ushtrisë që forcon themelet e shtetit tonë. Edhe në këtë përvjetor, kujtimi dhe mirënjohja për kontributin e pashembullt na bëhet udhërrëfyes që na jep forcë për të ngritur flamurin e Kosovës përkrah vendeve më të fuqishme për të garantuar paqe dhe siguri në misione paqeruajtëse ndërkombëtare”, tha ai.

Kosova sivjet shënon 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.