​Osmani: Qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të sigurt në çdo cep të vendit

 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës,  Vjosa Osmani, u takua sot me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Michele Risi, me të cilin bisedoi për aspekte të sigurisë në vend dhe ndihmën që KFOR-i mund të japë në menaxhimin e pandemisë.

Osmani u njoftua me gatishmërinë e strukturave të NATO-s, përkatësisht të misionit të saj në Kosovë, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të vendit në menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Gjeneral Risi shprehu gatishmërinë e strukturës që ai e udhëheq, që KFOR-i të ofrojë të gjitha kapacitetet e nevojshme për ndihmë popullit dhe institucioneve të Kosovës për menaxhimin e kësaj pandemie.

Po kështu, me gjeneral Risin kryetarja Osmani diskutoi edhe për rolin e KFOR-it në ofrimin e sigurisë për qytetarët e vendit.

Kryetarja Osmani tha se, si udhëheqëse e Kuvendit dhe përfaqësuese e popullit, e çmon jashtëzakonisht lart gatishmërinë e KFOR-it për të siguruar ambient të qetë dhe të sigurt, por kërkoi po kështu që bashkëpunimi i kësaj strukture ushtarake të thellohet me institucionet e sigurisë të Kosovës, në mënyrë që qytetarët e vendit të ndihen të sigurt dhe që të shmangen situatat, sikur ajo e Karaçevës, të cilat mund të ndikojnë që qytetarët e vendit të mos ndihen të sigurt.

“Kosova i ka të përcaktuar kufijtë e saj që nga 17 shkurti i vitit 2008 dhe qytetarët e vendit duhet të ndihen të sigurt në çdo cep të vendit”, tha kryetarja Osmani.​/21Media

Back to top button