Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani dhe shefat e grupeve parlamentare sot gjatë një takimi konsultativ, kanë diskutuar nismën e kryetares së Kuvendit për krijimin e hapësirës ligjore me qëllim të luftimit të COVID-19 dhe për dy nismat e Grupit Parlamentar të PDK-së lidhur me masat ekonomike pas pandemisë.

Iniciativa e kryetares së Kuvendit u ri-aktualizua pas publikimit të vendimit të Kushtetueses në rastit KO61/20, përmes së cilit ia rikujton Kuvendit detyrimin “qoftë përmes plotësim-ndryshimit të legjislacionit ekzistues të zbatueshëm ose përmes miratimit të ndonjë ligji të ri, të përcaktojë mekanizmat dhe autorizimet më të përshtatshme, në mënyrë që autoritetet përkatëse të ndërmarrin masat e duhura dhe të nevojshme për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19”.

Osmani, duke u thirrur në të dy aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, edhe njëherë u bëri thirrje shefave të grupeve parlamentare për të arritur konsensusin e nevojshëm për tejkalimin e qëndrimeve politike të cilat kanë bllokuar këto nisma në trajtimin fillestar të tyre në Kryesinë e Kuvendit.

Megjithatë, përkundër insistimit nga ana e kryetares Osmani, aktualisht nuk është arritur konsensus ndërmjet subjekteve politike.

Osmani vlerësoi se ky është një rast i humbur i Kuvendit, jo vetëm për t’u përgjigjur në obligimet që rrjedhin nga dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, por edhe sa i përket garantimit të bazës së mirëfilltë ligjore për t’u përballë me pandeminë COVID-19, në funksion të mbrojtjes së shëndetin publik.

“Përkundër mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, sipas Kushtetutës Kuvendi është plotësisht funksional, nuk ka humbur asnjë kompetencë, ndaj duhet të procedojë me këto nisma”, ka thënë Osmani.