Për nder të 30-vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, sot u mblodhën sërish. Por, kësaj radhe, në sallën plenare të të zgjedhurve të populli për të shënuar në mënyrë solemne këtë jubile.

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani tha se themelet e shtetësisë së Kosovës janë vënë tridhjetë vite më parë në miratimin e kësaj Kushtetute.

“Miratimi i kësaj kushtetute është akt heroik dhe njerëzor. Themelet e shtetit tonë qëndrojnë në atë vendim të juaj për t’i përqafuar konceptin për liri dhe pavarësi”, tha ajo.

E ish-kryetari i Kuvendit tridhjetë vite më parë, Ilaz Ramajli tha se Kushtetuta e Kaçanikut ka një rol të rëndësishëm për shtetndërtimin e Kosovës.