Për nder të 30-vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një seancë solemne për të shënuar këtë jubile.

Kryeparamentarja Vjosa Osmani tha se themelet e shtetësisë së Kosovës janë vënë tridhjetë vite më parë në miratimin e kësaj Kushtetute.

“Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut është akt heroik, aq edhe njerëzor sepse ju e kuptuat se orientimi drejt vlerave demokratike, përqafimi i idesë së lirisë si dhe refuzimi i ideologjisë komuniste ishin edhe vullnet i popullit dhe orientim strategjik i shtetit që po e ndërtonit. Themelet e shtetit tonë qëndrojnë mbi atë vendim tuajin për të refuzuar dhunën dhe përqafuar vlerat e lirisë”, tha ajo.

E ish kryetari i Kuvendit tridhjetë vite më parë, Ilaz Ramajli tregoi rëndësinë e Kushtetutës së Kaçanikut.

“ Unë besoj që shpallja e deklaratës kushtetuese më 2 korrik dhe nxjerra e Kushtetutës së Republikës së Kosovës e shpallur me 7 shtator dhe më vonë referendumi gjithë popullor të mbajtur më 26 dhe 30 shtator 1991 për Kosovën shtet të pavarur shprehin vazhdimësinë e vullnetit politik të Kosovës që nga lufta për pavarësi”, tha ai.

E ish delegatja Feride Hyseni paraqiti rolin e grave delegate të asaj kohe.

“Që nga dita e konstatimit të Kuvendit ato ishin shumë aktive në seanca dhe komisione…delegatet e kuvendit nuk u zmbrapsen asnjëherë dhe qëndruan krahë delegatëve burra edhe ditën kur qëndruan 24 orë në këtë sallë në shenj proteste për pengesën e punës së Kuvendit nga organet serbe të asaj kohe”, u shpreh Hyseni.

Më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik u votua Kushtetuta e Kosovës për pavarësi, por e cila në atë kohë nuk u njoh asnjëherë ndërkombëtarisht. /kp