Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka vizituar të lënduarit e shpërthimit në Ferizaj të cilët ndodhen për mjekim në Qendrën Emergjente të QKUK-së.

Me këtë rast Osmani ka bërë thirrje që të investohet më shumë në sistemin shëndetësor, pasi konsideron se improvizimet nuk mund të zgjidhin problemet afatgjate në shëndetësi.

Po ashtu ajo kërkoi nga institucionet shtetërore që të vendosin prioritet ndërtimin e një qendre për trajtimin e djegieve.

“Kjo tragjedi vërtetë e vështirë për secilin familjar, për çdo qytetar dhe për të gjithë Kosovën, na ka mësuar që shëndetësia kërkon investime afatgjate. Nuk mund të mbijetojë me improvizime dhe arnime. Por kërkon që secili prej nesh t’i kthejë sytë këtu, sepse kot janë investimet në fusha tjera kur qytetarët nuk e kanë shëndetin. Kërkon sigurim shumë më të madh nga institucionet shtetërore sa i përket rregullativës dhe kontrolleve rreth bombolave të gazit sepse nuk është hera e parë incidente të tilla të cilat kanë pasoja në njerëz. U njoftova se numri i përafërt i rasteve të djegies të cilët trajtohen këtu në QKUK është mbi 100 në vit që është një numër jashtëzakonisht i madh. Duhet të ketë një qendër të djegies ashtu siç i kanë spitalet në rajon dhe Evropë. Të vendoset si prioritet për cilindo planifikim të ardhshëm që bëhet për investim në sektorin e shëndetësisë”, tha ajo.

Edhe drejtori i kirurgjisë plastike, Dren Buja, pati të njëjtën kërkesë, teksa tregoi edhe gjendjen aktuale të të lënduarve.

“Si rezultat i kësaj tragjedie 12 pacientë kanë ardhur në Qendër Emergjente të cilët kanë qenë të lënduar me djegie. Shtatë prej tyre kanë djegie të mëdha, gjegjësisht të rënda. Sipërfaqja e tyre sillet prej 30 deri në 50 për qind. Edhe këta 7 pacientë janë të vendosur në mjekimin intensiv qendror. Te një pjesë e tyre janë bërë intervenimet fillestare kirurgjike. Edhe në të ardhmen këta pacientë do të kenë nevojë për trajtim kirurgjik. Gjendja e tyre është mesatarisht e rëndë. I gjithë stafi është mobilizuar. Kisha shfrytëzuar rastin që të kërkojë nga qeveritarët që të kemi një qendër të djegies ashtu siç e kanë të gjitha vendet e rajonit”, tha ai.