Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar sot se Sllovenia asnjëherë nuk ka pasur qëndrim për ndryshim të kufijve të Kosovës.

“Ne duhet të kemi vetëbesim. Pavarësisht se kush mund të shtyjë para ndryshimin të kufijve apo të publikojë non papers të tillë, përfaqësuesit e Kosovës asnjëherë nuk do të përkrahin ato”, ka thënë ajo në një konferencë të përbashkët për media me presidentin slloven Borut Pahor.

Osmani ka folur edhe për padinë e paralajmëruar ndaj Serbisë në gjykatën ndërkombëtare.

“Për secilin që i njoh për së afërmi masakrat e Serbisë në Kosovë, nxirret një qëndrim i qartë që qëllimi i forcave serbe ishte shfarosja. Pjesa e përgatitjes për padi kërkon hulumtim tepër të thellë. Do të bashkëpunojmë me secilin shtet që na ndihmon të vendosim drejtësi”, ka thënë Osmani.

Qeveria e Kosovës po planifikon që në fund të vitit 2022 të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Në ekspozenë e tij, kryeministri Albin Kurti, me rastin e marrjes së besimit nga Kuvendit i Kosovës për formimin e qeverisë, më 22 mars, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij qeverisës, synon që të realizohet ngritja e padisë ndaj krimit të gjenocidit serb në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj një obligim”, ka thënë Kurti pas miratimit të programit të vet qeveritar.

Kurti ka theksuar se përgatitjet për padi “janë gjigante sepse një rast i tillë nuk mund dhe nuk duhet të humbet”.

Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për padi për gjenocid ndaj Serbisë nxiti reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se “Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

“Mund ta realizoni këtë vetëm përmes një shteti tjetër, që është Shqipëria, e kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. U kërkoj shqiptarëve të Kosovës që të mos e bëjnë këtë”, ka thënë Vuҫiq.

Ndryshe, në vitin 1999, Kroacia ngriti padi ndaj Serbisë në GJND për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995. Në 2010, Serbia paraqiti një kundër-padi ndaj shtetit kroat. Në vitin 2015 GJND-ja vendosi që as Serbia e as Kroacia, nuk kanë kryer gjenocid ndaj njëra-tjetrës. Ndërsa, sa i përket Srebrenicës, në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se vrasjet e rreth 8 mijë myslimanëve të Bosnjës, kanë përbërë gjenocid, por Gjykata tha, se Serbia nuk e kishte parandaluar gjenocidin e në të njëjtën kohë nuk kishte prova të mjaftueshme që Serbia kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë.