Dogana e Kosovës ka përdorur metodat më optimale në mënyrë që furnizimi të jetë i qëndrueshëm

Dogana e Kosovës ka përdorur metodat më optimale në mënyrë që furnizimi të jetë i qëndrueshëm

Pandemia Covid-19 ka ndikuar në rënien drastike të importit për 40% e edhe rënien e konsumit tek qytetarët, gjë që ndikon edhe të te hyrat shtetërore. Ky qëndrim doli nga një forum virtual i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikanë në Kosovë, mbi gjendjen e konsumit pas ndikimit të pandemisë.

Bashkim Arifaj, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe Kufirit në Doganën e Kosovës, tha se sa i përket trendit të importit, statistikat brenda doganës tregojnë se në periudhën krahasuese të javëve të para të prillit të këtij viti, me ato të vitit 2019m rezulton një trend rënës i importeve në përgjithësi.

“Importi i produkteve esenciale, me theks të veçantë tek gruri dhe mielli ka qenë enorm gjatë kësaj kohe. Sipas tij, partnerë kryesor të Kosovës në kontekstin e importeve janë Turqia dhe Gjermania, ndërsa Serbia qëndron në vendin e 12-të”, ka thënë Arifaj.

Ai ka përmendur se Dogana e Kosovës ka përdorur metodat më optimale në mënyrë që furnizimi sidomos me mallra esenciale të jetë i qëndrueshëm.

E Hakif Gashi, pronar në “Meridian Corporation” ka thënë se si pasojë e indikatorëve të ndryshëm që janë shfaqur pas paraqitjes së pandemisë, statistikat dëshmojnë një rënie të dukshme të konsumit.

“Paniku dhe pasiguritë dita ditës po vazhdojnë të tkurrin konsumin e përditshëm të qytetarëve, ndërsa mbyllja e aktiviteteve të shumëta ekonomike dhe rrjedhimisht rritja e papunësisë, po i orientojnë blerjet kryesisht në produkte esenciale”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, nëse flitet në përqindje, konsumi ka rënë afërsisht 50% për produktet ushqimore, ndërsa 70% për produktet e luksit.

Gashi ka shtuar se injektimet e parasë në ekonomi janë kyçe në këtë kohë, dhe ato nuk duhet të fokusohen vetëm në mbijetesë, por në motivim për konsum normal.

Dardan Shala, kryeshef ekzekutiv në “M&Sillosi” ka përmenduri panikën e qytetarëve për furnizim me produkte esenciale, me theks të shtuar me miell në ditët e para të kësaj krize

Ai ka theksuar se ajo periudhë ishte mjaft sfiduese për industrinë e prodhimit të miellit.

“Problemet e ndryshme që u shfaqën kishin të bënin inicialisht me varësinë nga importi, e rrjedhimisht me njoftimin për heqjen e taksës nga Serbia, i cili e kushtëzoi këtë industri të mbante stoqe sa më të vogla”, ka thënë ai.

Gjatë kohës kur kërkesa ishte enorme, Shala ka potencuar se të hyrat ishin të mëdha për këtë industri, mirëpo njejtë ishin edhe kostot e sigurimit të atyre sasive përderisa u ngrit çmimi për lëndën e parë, ambalazhimin dhe transportimin.

Tutje, Shala u ka bërë thirrje institucioneve për të marrë vendime në harmonizim të plotë me komunitetin e biznesit, ashtu që bizneset të mund të kontribuojnë në buxhetin dhe stabilitetin ekonomik të ven dit.

Forumi virtual i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë u mundësua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.