Një ditë para se të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar, presidenti i vendit Hashim Thaçi ka bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Nga aty, Thaçi tha se sot më shumë se kurrë duhet mësimi i urtësisë së presidentit Rugova dhe respektimi i gjakut të derdhur për Kosovën.

Ai tha se me respektin për presidentin Rugova dhe të gjithë atyre që dhanë jetën, do të niset për në Dhomat e Specializuara, për të cilat theksoi se i krijuan vetë si vendim strategjik, besim dhe respekt ndaj SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së.

Kreu i shtetit tha se do të kthehet kurdo qoftë prej andej me gjithë pastërtinë e pohuara edhe të bashkëluftëtarëve të tjerë.

Pranë varrit të ish-presidentit Rugova, Thaçi tha se po nderon njeriun që i dha fuqizim zanafillës së shtet-ndërtimit të Kosovës. Ai tha se në historinë e formimit të shteteve në botë, Kosova hyn në rastet e rralla që rrugën e formësimit të shtetit e nisi nga ideja e rezistencës paqësore dhe e mbylli në istikamet e luftës së armatosur.

Durimi dhe qartësia e Rugovës për rezistencën paqësore, si një mision i pamundur në kohën dhe kontekstin kur mori formë, Thaçi tha se dëshmoi deri në fund seriozitetin e këtij njeriu në përpjekje për t’i dalë zot atdheut me një qasje krejt origjinale.

Sipas tij, e vërteta është se, pa rezistencën paqësore, pa atë rrugë të shtruar që ishte pikënisje edhe për të dhe bashkëluftëtarët, do të ishte e vështirë për të vazhduar në rrugën e rezistencës së armatosur.

I pari i shtetit tha se sot duhet të jenë të gjithë krenar që pikënisja e shtet-formimit të Kosovës frymëzimi i lëvizjes çlirimtare në Kosovë nga rezistenca paqësore tek ajo e armatosur, ka nisur nga nevoja për liri, paqe për të gjithë qytetarët e saj.

Presidenti Thaçi nesër do të udhëtojë për në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale. Kujtojmë se, më 24 qershor, Prokuroria Speciale ka bërë publike propozim-aktakuzat ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. /kp