Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit A.E. shtetas i Republikës së Maqedonisë dhe S.A. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas komunikatës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, të pandehurit dyshohet se më 8 tetor 2020 në Ferizaj, kanë poseduar pa autorizim substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, në atë mënyrë që i pandehuri A.E. lëndën narkotike e ka siguruar nga persona të panjohur në Maqedoni të cilën më pas e ka sjell në Kosovë, me ç’rast i pandehuri S.A të njëjtën e ka vendosur në një kioskë në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij, ku është duke qëndruar për pushime. Ndërsa hetuesit DHTN-së pas zbatimit të urdhëresës së gjykatës për urdhër kontroll, kanë gjetur 5.5 kg (kilogram) lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Sahit Krasniqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.