Kombëtarja shqiptare në futboll ka pësuar sonte nga lituanezët me rezultat 1:0, në kuadër të grupit të katërt C të Ligës së Kombeve.

Ndeshja u zhvillua në Arenën Kombëtare në Tiranë pa praninë e shikuesve shkaku i masave kundër pandemisë COVID-19.

Ndeshjen e parë kuqezinjtë e fituan në udhëtim kundër Bjellorusisë 2:0 dhe në takimin e sotëm pritej një fitore e radhës. Por, të përzgjedhurit e strategut italian Edy Reja treguan një lojë të zbehtë e cila ndikoi edhe në epilogun e ndeshjes.

Autori i golit të vetëm ishte Donatas Kazlauskas në minutën 51, pas një gabimi të mbrojtjes së Shqipërisë dhe daljes së Thomas Strakoshës.

Elseid Hysaj tre minuta para përfundimit të ndeshjes u ndëshkua me karton të kuq dhe kjo bëri që mysafirët të shpejtojnë sulmet e tyre, duke krijuar raste të mira shënimi, por fatmirësisht nuk arritën të thellonin më tej epërsinë.

Ndryshe, Kosova në grupin tjetër në Ligën e Kombeve pësoi mbrëmë në “Fadil Vokrri” nga ish-kampioni evropian Greqia me rezultat 1:2.