Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje qeverisë së vendit dhe Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e vaksinës anti-COVID, derisa ka kritikuar menaxhimin aktual të institucioneve me pandeminë.

Donjet Bislimi, anëtarë i kryesisë së PDK-së, në një konferencë për media tha se mungesa e oksigjenit nëpër spitalet e Kosovës është shokuese dhe se për këtë duhet të marr dikush përgjegjësi.

Ai tha se qeveria aktuale ende nuk ka shpalosur ndonjë plan se si dhe kur do t’i sigurojë vaksinat për qytetarët e Kosovës.

“E shohim të angazhuar në emërime e shkarkime politike në vend që të angazhohet në shpëtimin e jetëve të qytetarëve tanë. Ne jemi të alarmuar se mund të ripërsëritet dështimi me vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat u siguruan në Kosovë me 3 muaj vonesë, pasi stina e dimrit tashmë ka filluar. Papërgjegjshmëria, paaftësia dhe mungesa e ndjeshmërisë së dy qeverive, asaj ish-Kurti dhe Hoti, janë duke i kushtuar me jetë të çmuara Kosovës. Çdo vonesë në sigurimin e vaksinës anti-COVID, përkthehet në jetë të humbura njerëzish. Çdo vazhdim i mungesave të barnave, oksigjenit, mjeteve apo stafit shëndetësor, gjithashtu shton bilancin tashmë të rëndë të vdekjeve prej koronavirusit. Partia Demokratike e Kosovës bën thirrje për një mobilizim urgjent serioz të Qeverisë për sa i përket menaxhimit të pandemisë në vend, që sigurimi i vaksinës anti-COVID dhe adresimi i mungesave të sipërpërmendura në sistemin shëndetësor tonin të bëhet prioriteti numër një i gjithë shoqërisë”, tha ai.

Ai tha se është shokuese mungesa e oksigjenit nëpër spitale, për çka tha se dikush duhet të marr përgjegjësi për këtë.

Sipas tij, qeveria ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe vazhdimi i gjithë këtyre mangësive dëshmojnë papërgjegjshmëri politike dhe mungesë të theksuar aftësie për të qeverisur me vendin në këtë kohë të vështirë.

“Mediat kanë dëshmuar tashmë për mungesën e kushteve bazike, të kontrolleve dhe izolimit të nevojshëm të spitaleve ku trajtohen pacientët e infektuar prej koronavirusit. Ndërkohë që gjasat janë të mëdha që kjo qeveri të përfundoj me suficit të madh për sa i përket shpenzimeve buxhetore, qytetarët nuk kanë oksigjen, i cili është vital për mbijetesën e të sëmurëve, dhe detyrohen ta kërkojnë në treg privat. E njëjta situatë e rëndë shihet edhe me barna, ku ministria e shëndetësisë nuk ka marrë masa për të përmbushur nevojat e pacientëve, të cilët po detyrohen t’i blejnë barnat në treg të zi me çmime të larta. Ne si PDK jemi të shokuar nga mungesa e oksigjenit në spitalet tona dhe dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë. Tashmë po hyjmë në muajin e 10-të të fillimit të pandemisë në Kosovë dhe nuk ka asnjë justifikim për mungesën e barnave, pajisjeve, furnizimit me oksigjen apo staf të mjaftueshëm shëndetësor”, tha ai.

Bislimi tha se shpreh shqetësimin e PDK për gjendjen e rënduar të pandemisë së COVID-19 dhe rritjen e numrit të vdekjeve duke tejkaluar shumë vende në botë. Ai tha se përkeqësimi i situatës po tregon se masat aktuale të qeverisë nuk po funksionojnë ndërkohë që ekonomia është duke paguar kosto të përditshme si pasojë e masave jo efikase.

“Ne shprehim zemërimin e thellë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë së Kosovës, për keq-menaxhimin e spitaleve dhe gjithë sistemit shëndetësor, gjë që është demonstruar tashmë nga raportimet e mediave. Pamjet që po vijnë nga klinikat dhe spitalet kudo në Kosovës, rrëfimet dhe përjetimet e pacientëve, familjarëve të tyre dhe përvoja e ime si mjek që nga fillimi i pandemisë, janë vërtetë shokuese dhe të papranueshme për gjendjen ku jemi”, tha ai.

I pyetur se a do të marrin pjesë nëse do të ketë një ftesë nga ana e qeverisë së vendit për çështje të presidentit, Bislimi tha se PDK e ka dhënë përgjigjen përmes ushtruesit të detyrës së kryetarit dhe përmes organeve të saj. Ai tha se për çdo zhvillim dhe vendim e mbledh kryesinë e partisë përmes të cilit tha se i plasojnë opinionin në publik.