Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mirëpritur vendimin e komunës së Prishtinës që lëvizja e qytetarëve me autobusët e Trafiku Urban në Prishtinë të jetë pa pagesë për muajin dhjetor. Por, asamblistë të kësaj partie, po kërkojnë që vendimi të jetë i plotë dhe të zgjasë deri në mars të vitit të ardhshëm, ashtu siç është propozuar nga ta.

Asamblistit PDK-së, Leutrim Retkoceri përmes një konference për medie tha se kryetari Shpend Ahmeti përmes linjave buxhetore këtë vendim duhet ta zgjasë edhe në vitin 2021.

“Ne si grup kemi propozuar që trafiku urban të jetë pa pagesë për të gjithë qytetarët e Prishtinës për katër muaj. Që nga muaji nëntor, dhjetor, janar, shkurt deri në mars. E kemi parë një qëndrim të kryetarit të komunës, se në vitin 2020 nuk është paraparë të ketë linjë për këtë çështje. Por unë nga këtu i bëj thirrje kryetarit të komunës që të vë gjitha procedurat në zbatim në mënyrë që në vitin 2021 të futet një linjë buxhetore për këtë aspekt”, tha ai.

Retkoceri i renditi para mediave gjitha arsyet pse autobusët e Trafikut Urban duhet të jenë pa pagesë për qytetarët deri në mars të vitit të ardhshëm.

“Do t’i ndihmojë qytetarit të Prishtinës që pikë së pari t’i kursejë ata nga pagesa për Trafikun Urban, të ndikojë në uljen e ndotjes së ajrit dhe t’i nxisë qytetarët të mos përdorin makinat e tyre, por të shfrytëzojnë Trafikun Urban. Në anën tjetër do të ndikojë që në Prishtinë të ulet fluksi i makinave, apo tollovisë në trafik”, u shpreh ai.

Muajin e kaluar me propozim të PDK-së, Kuvendi komunal në Prishtinë miratoi kërkesën që Trafiku Urban për katër muaj të jetë pa pagesë. Ndërsa kreu i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, njoftoi dje se kanë marrë vendim se qytetarët për vetëm për një muaj nuk do të paguajnë biletat për lëvizje me autobusë të komunës.