Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Hoti për mungesë të planeve për fillimin e mësimit nëpër shkolla, në kohën kur vendi vazhdon të përballet me pandeminë koronavirus.

Në një konferencë për media, anëtarja e Komisionit për Arsim nga PDK, Eliza Hoxha ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi ta menaxhojë pandeminë dhe të sigurojë kushte dhe mundësi për rikthim të fëmijëve në shkollë, në të kundërtën humbja e betejës së arsimit në raport me COVID 19 do të jetë humbja më e madhe për shtetin e Kosovës, pasi pasojat do të barten me gjenerata.

“PDK ngrit shqetësimin se a është Kosova gati për rikthim në shkolla sepse deri më sot nuk e kemi parë ndonjë plan konkret nga qeveria për fillimin e mësimit nëpër shkolla, as ide për riorganizim hapësinor të shkollave, shenjëzim apo edhe kushte higjienike, duke e ditur se shkollat tona edhe në kushte normale aspektin higjienik e kanë problematik”, ka thënë ajo.

Për më tepër Hoxha ka thënë se riorganizimi i hapësirës dhe shtim i kushteve higjienike nëpër shkolla do të jetë e nevojshme për organizimin e procesit mësimor nëse mësimi do të mbahet në shkolla.

“PDK thekson se klasat mund të riorganizohen, e në raste kur nuk ka mundësi për ta bërë një gjë të tillë klasa mund të ndahet në dy grupe dhe mësimi të mbahet me orar të shkurtuar për të dy grupet e një klase. Shenjëzimi dhe pajisjet higjienike shtesë janë të domosdoshme e hapësirave publike tashme dhe këto shërbime siç e dimë zakonisht tenderohen në bazë të ligjit të prokurimit dhe marrin kohën e vet”, ka thënë Hoxha.

“PDK thekson se mësimi online në kushte të izolimit total edhe e kishte kuptimin e vet pavarësisht cilësisë dhe problematikave që ka lënë pas. Por tani që shumica e aktiviteteve janë të hapura, prindërit duhet të punojnë jo vetëm për shkak të obligimeve, por edhe për shkak të rëndesës ekonomike të shkaktuar nga paaftësia e qeverisë Kurti dhe Hoti, të cilat dështuan rendë në përkrahjen ekonomike të qytetarëve tash e 6 muaj andaj është absurde që ministri i Arsimit t’i kërkojë secilës familje që njëri prind të qëndrojë në shtëpi për shkak të mësimit online sepse fëmijët e vegjël e kanë të pamundur të jenë pjesë e tij pa mbikëqyrjen e prindit duke qenë se barra me e madhe i bie atyre.

Ndryshe, sipas hulumtimeve së fundi, mbi 10 për qind e nxënësve kosovarë nuk kanë pasur qasje në mësimin online./kp