Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ka kthyer sot përgjigje kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka kërkuar që PDK të delegojë një përfaqësues të saj në procesin e dialogut që do të zhvillohet më 4 shtator në Washington dhe më 7 shtator në Bruksel.

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, nëpërmjet përgjigjes zyrtare, ka rikonfirmuar qëndrimin zyrtar dhe të njohur të PDK-së, se mbështetë fuqishëm angazhimin e SHBA-së dhe BE-së në procesin e dialogut si partnerë strategjik ndërkombëtar.

Veseli ka thënë se PDK do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.

“Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë Veseli.