Partia Demokratike e Kosovës po vlerëson se për shkak të keq menaxhimit të situatës ekonomike gjatë kohës me pandemi nga Qeveria në detyrë, Kosova do të ketë mbi 1 miliard euro humbje në ekonomi dhe mijëra vende pune më pak.

Blerand Kadrijaj nga PDK, në një konferencë për medie tha se keq menaxhimi i situatës së krijuar me Covid-19 nga Qeveria Kurti, ka rrezikuar stabilitetin makro-fiskal të shtetit të Kosovës, derisa theksoi se zbatimi i vonuar i pakos emergjente ka rrezikuar falimentimin e shumë ndërmarrjeve private.

“Qeveria tanimë e shkarkuar Kurti, e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për shkak të keq-menaxhimit të buxhetit, e sidomos Pakos Emergjente financiare gjatë pandemisë ka rrezikuar stabilitetin makro-fiskal të shtetit të Kosovës. Qeveria me politikat e gabuara dhe me zbatim të vonuar të Pakos, ka rrezikuar falimentimin e shumë ndërmarrjeve private. Kështu, ka ndikuar në humbjen e mijëra vende të punës e duke i zhytur mijëra shtetas të Kosovës në varfëri”, tha Kadrijaj.

Kadrijaj tha se në vitin 2020 ekonomia e Kosovës parashihej të rritej deri në 4 për qind, por si rezultat i mos implementimit me kohë të pakos emergjente pritet të pësojë rënie mbi 11 për qind.

“Edhe pse ekonomia e Kosovës kishte rritjen më të lartë në rajon në vitet e kaluara, e ku parashihej të rritej me mbi 4% në vitin 2020, si rezultat i masave frenuese të ndërmarra nga Qeveria dhe mos implementimi me kohë i pakos emergjente financiare, sipas Bankës Botërore, ekonomia tani pritet të pësojë një rënie mbi 11% sipas skenarit pesimist; rënien me të lartë në rajon. Gjithashtu, skenari i padëshirueshëm vjen si rezultat i vazhdimit të masave frenuese, duke mos e stimuluar ekonominë e vendit përmes politikave adekuate. Në vlera numerike, rënia ekonomike prej 11.3 për qind në Kosovë, do të thotë tkurrje/rënie e BPV prej rreth 800 milion euro për vitin 2020”, tha Kadrijaj.

Kadrijaj shtoi se, sipas parashikimeve do të ketë rënie të mundshme të të hyrave tatimore nga 7.5 e deri në 12.5% të buxhetit vjetor që nënkupton se buxheti i shtetit mund të ketë deri në 200 milionë euro më pak të hyra se sa ato të kalkuluara në muajin shkurt.

“Përkundër qëndrimit zyrtar të Qeverisë së shkarkuar, të cilët kishin deklaruar se varësisht nga kohëzgjatja e problemit me pandeminë, në baza vjetore, parashikimet flasin për një rënie të mundshme kumulative të të hyrave tatimore nga 7.5 e deri në 12.5% të buxhetit vjetor. Në terma monetar, kjo nënkupton që buxheti i shtetit mund të ketë deri në 200 milionë euro më pak të hyra se sa ato të kalkuluara në muajin shkurt”, tha ai.

Kadrijaj thotë se situata aktuale është shumë më e rëndë se sa parashikimi i Ministrisë së Financave.

“Situata aktuale është shumë më e rëndë se sa parashikimi i moderuar i ministrit të Financave. Rënia reale e pranimeve buxhetore në bazë të të dhënave zyrtare, është 242 milion euro, apo 28% më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë për vitin 2019.Sa i përket ekzekutimit të buxhetit, Ministria e Financave dhe Transfereve, ka punuar në kundërshtim me praktikat e mira dhe me teoritë themelore ekonomike, se si të veprohet në kohë të recesioneve”, tha Kadrijaj, përcjell kp

Në këtë konferencë u përmendën disa nga pasojat për ekonominë e Kosovës, si rezultat i keqmenaxhimit, rënia e BPV-së për rreth 800 milionë euro, remitencat rreth 150 milionë euro më pak me trendin aktual për vitin 2020, humbjet buxhetore për 2020 me trendin aktual, mbi 300 milionë euro, humbje të vendeve të punës, falimentimi i shumë ndërmarrjeve vendore, humbjet e investimeve të huaja direkte: Contour Global, 1.3 miliard euro investime në energji, për 5 vjet, dëmet mbi 20 milionë, në rast të humbjes së rastit në arbitrazh, humbja e fondeve të huaja, përfshirë fondet MCC prej 200 milionë euro.

Mbi 150 mijë qytetarë do të varfërohen në Kosovë, sipas raportit të Bankës Botërore. Po ashtu, rrezikohet ulja e pagave në sektorin publik dhe ekzekutimi i pagesave për skemat sociale në tremujorin e fundit, bazuar me trendin aktual të të hyrave buxhetore.