Për dy javë Komuna e Pejës nuk ka pasur asnjë rast të ri me COVID-19 përkundër që vazhdimisht janë bërë testime.

Kjo komunë vazhdon të ketë nëntë persona aktivë me COVID-19, derisa janë shëruar 63 persona.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci, ka thënë për KP, se nuk kanë raste të reja tashmë dy javë, ndërsa theksoi se po rritet numri i personave të shëruar.

“Kemi kaluar më shumë se dy javë që kemi hyrë në një qetësi relative ashtu ta them dhe fatmirësisht përkundër testimeve të shumta të cilat janë bërë në qytetin e Pejës dy javët e fundit, ritestimeve situata qëndron e mirë, nuk kemi raste të reja të cilët rezultojnë pozitiv me COVID-19. Ndërsa, jemi duke u marrë me rastet të cilat kanë qenë aktive dhe nga dita në ditë po rritet numri i të shëruarve në krahasim me numrin e të prekurve”, ka thënë ai.

Komuna e Pejës ka pasur 74 persona me COVID-19, prej të cilëve dy kanë vdekur, 63 janë shëruar, ndërsa nëntë persona vazhdojnë të jenë aktiv me koronavirus.

Loci tha se gjendja e nëntë personave është stabile.

Përkundër që Peja për dy javë nuk ka raste të reja me COVID-19, Loci ka thënë se lehtësimi i masave duhet të bëhet në mënyrë graduale.

“Unë nuk jam ithtar i asaj që të shkohet më shpejt se që parashohin ekspertët e fushës në IKShPK. Ata bëjnë vlerësimin e nevojshëm në bazë të gjendjes në përgjithësi në tërë territorin e vendit. Ne jemi pro asaj që të shkohet me hapa ashtu siç i ka ndjekur deri më tani Ministria e Shëndetësisë dhe që të mos ngutemi për shkak se kjo gjendje e mirë të vazhdojë edhe më tutje, e mos të na kthehet në bumerang, në favor të COVID-19”, u shpreh ai.