Në mungesë të vendimmarrjes nuk ka kaluar rezoluta e Lëvizjes Vetëvendosje për anulimin e licencës kompanisë “Kelkos” për hidrocentralet “Deçani” dhe “Belaja”.

Deputetët në seancën e sotme nuk arritën të miratojnë as Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Letërnjoftim.

Në mungesë të vendimmarrjes, kryesuesja e seancës Arbërie Nagavci mbylli punimet plenare, derisa bëri të ditur se seanca do të vazhdojë nesër në orën

“Seanca vazhdon punimet nesër në ora 11:00”, tha ajo.

Pikat e mbetura të rendit të ditës që pritet të vazhdojnë nesër janë: shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për vitin 2019, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2019, shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2018, shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2019, shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019.

Po ashtu, do të ketë edhe debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës sensibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi, të mbështetura nga tetë deputetë të tjerë.

Tri pikat e fundit të seancës së nesërme janë emërimi i kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT, zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteteve jo shumicë.