Klubi futbollistik-Prishtina ka njoftuar se kapiteni i skuadrës, Lorik Boshnjaku ka lënduar muskulin e krahut dhe si pasojë e kësaj ai nuk do të mund të paraqitet më në ndeshjet e stinorit vjeshtor.

Në seancën e fundit stërvitore, një ditë para ndeshjes, Gjilani – Prishtina, kapiteni i FC Prishtinës, Lorik Boshnjaku ka pësuar një lëndim që nuk dihej shkalla e lëndimit.

“Pas ekzaminimit të hollësishëm, është konstatuar që ai ka lënduar fijen e muskulit të krahut, por fati në fatkeqësi është se nuk ka nevojë për operim, megjithatë kapitenit i duhet të pushoj gjatë kësaj kohe dhe për të ka përfunduar stinori vjeshtor duke humbur katër ndeshjet e fundit”, është theksuar në njoftimin e klubit nga kryeqyteti.

Lorik Boshnjaku në këtë edicion deri para lëndimit është paraqitur në të gjitha ndeshjet, apo 15 sa ishin zhvilluar.